387 tonë mish i pasigurtë për konsum, AKU bllokon ngarkesën rekord në Portin e Durrësit

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kontrollet e imtësishme nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kanë vazhduar edhe gjatë këtyre ditëve të fundit.

Mësohet se AKU ka ndaluar hyrjen e 387 tonë mishi të pasigurtë në Shqipëri dhe se 234.5 tonë mish janë kthyer në vendin e origjinës. Nga kjo sasi mishi, 152.6 tonë janë në proces për kthim.

Ngarkesa është bllokuar në Portin e Durrësit.

AKU ka dalë në përfundime se kjo ngarkesë ishte e pasigurtë për konsum, ndaj edhe është vendosur kthimi për në vendin e origjinës.

Kujtojmë këtu se edhe në vendin tonë janë kryer disa kontrolle të njëpasnjëshme, ku disa biznese edhe janë mbyllur përfundimisht e shumë të tjera janë gjobitur me shuma marramendëse.

Njoftimi i plotë i AKU

Në kuadër të mbarëvajtjes të sezonit turistik veror, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon monitorimet rigoroze për cilësinë dhe efektivitetin e kontrolleve zyrtare të ushqimit si në terren ashtu dhe në Pikat e Inspektimit Kufitar.

Kontrollet e kryera nga inspektoret e ushqimit të AKU Durrës në Pikën e Inspektimit Kufitar Durrës gjatë ditëve të fundit kanë konkluduar se disa ngarkesa me produkte importi janë të pasigurta për konsum njerëzor dhe si rrjedhojë kanë vendosur për kthimin e tyre në vendin e origjinës. Më konkretisht:

Tre ngarkesa me sasi totale 74.946 ton “Mish Derri” me origjinë nga Kanadaja, importuar nga subjekti “FRIGO ALB shpk”, rezultuan se nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore dhe kishin mangësi në besueshmërinë e dokumentacionit shoqërues (kryesisht të certifikatës veterinare si dokumenti kryesor i sigurisë së produktit si dhe certifikatat e analizave raportonin prezencë Ractopaminë, një produkt mjekësor veterinar i paregjistruar dhe i ndaluar për përdorim në Shqipëri dhe në BE)

Dy ngarkesa me sasi totale 52.257 ton “Mish Viçi” me origjinë nga Brazili, importuar nga subjekti “Apetit shpk”, në rregjim tranzit në territorin e Shqipërisë me destinacion final Kosovën, rezultuan me mangësi dhe mospërputhje thelbësore në dokumentacionin shoqërues të mallit (çertifikata e origjinës dhe ajo veterinare mbanin të dhëna të ndryshme nga dokumenti i transportit dhe fatura komerciale) çka e bën mallin ushqimor të importuar pa identitet të konfirmuar dhe të pasigurt për konsum.

Më herët, analizat e kryera për disa nga ngarkesat me produkte ushqimore mish të importuar rezultuan me ngarkesë mikrobiologjike (analizat laboratorike raportuan prezencën e Salmonella spp) dhe si rrjedhojë, produkti ushqimor i importuar me këto ngarkesa është i pasigurt dhe i papërshtatshëm për konsum njerëzor. Për ketë arsye dhe referuar bazës ligjore dhe rregullatore në fuqi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi kthimin e këtyre ngarkesave në vendin e origjinës, më konkretisht:

Katër ngarkesa me sasi totale 107.240 ton “Mish derri” me origjinë nga Brazili, importuar nga subjekti “ZICO sh.a.” është finalizuar praktika dhe ngarkesat janë kthyer në vendin e origjinës.

Gjashtë ngarkesa (152.631 ton në total) janë në proces përmbyllje praktike për kthimin ne vendin e origjinës ose asgjësim, më konkretisht:

51.984 ton “Mish Derri” me origjinë nga Brazili, importuar nga subjekti “AMG shpk”,

27 ton “Fileto Pule” nga Brazili, importuar nga subjekti “KING MIT”,

25.999 ton “Mish Derri” nga Brazili, importuar nga subjekti “FRIGO ALB shpk”,

22.648 ton “Mish Viçi” nga Brazili, importuar nga subjekti “DEKON FRIGO shpk”.

25 ton “Mish Derri” me origjinë nga Qipro, importuar nga subjekti “EHË shpk”,

dhe me finalizimin e praktikës për kthimin ne vendin e origjinës ose asgjësim, rezultati do të njoftohet në rrjetin Europian të shkëmbimit të informacionit mbi rreziqet që lidhen me ushqimin (RASFF).

Shpërndaje
Share.

Komento