22 vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit, politikanët shqiptarë homazhe pranë memorialit “Vepra e tij frymëzon në çdo kohë”

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ditën e sotme bëhen 22 vite nga vrasja e liderit të Lëvizjes Studentore dhe heroit të demokracisë, Azem Hajdarit.

Reagimet kanë qenë të shumta dhe nuk mund të mungonin as homazhet në memorialin e Heroit të Demokracisë, Hajdarit ku të pranishëm ishin presidenti i vendit Ilir Meta, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ish-kreu i kësaj partie Sali Berisha.

Në një postim në rrjetin social Facebook, presidenti Meta shkruan se vepra e Azem Hajdarit frymëzon në çdo kohë dhe se ai arriti të përmbysë regjimin më totalitar të kontinetit dhe për mijëra shqiptarë të sakrifikuar në emër të lirisë dhe demokracisë është të realizojmë ëndrrën për një Shqipëri plotësisht europiane.

“Vepra e Azem Hajdarit frymëzon në çdo kohë!

Nderimi më i madh për Liderin e Lëvizjes Studentore që përmbysi regjimin më totalitar të kontinetit dhe për mijëra shqiptarë të sakrifikuar në emër të lirisë dhe demokracisë është të realizojmë ëndrrën për një Shqipëri plotësisht europiane.

“Shqipëria si gjithë Europa” edhe më aktuale pas 30 vitesh!

O TANI O KURRË! 🇦🇱“

Ndërkohë kreu i PD Basha është shprehur se Hajdari është një shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane.

Basha thekson se e sotmja është një thirrje për rininë që të mos shohin ikjen si zgjidhje, por përballjen dhe fitoren, ashtu siç bëri Azem Hajdari në dhjetorin e 1990.

“Në përvjetorin e vrasjes së heroit të demokracisë Azem Hajdari, kujtojmë me nderim dhe respekt të thellë jetën dhe veprën e njeriut, që ia fali rininë dhe energjinë e tij demokracisë dhe lirisë.

Vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit është përjetë shembull frymëzimi, për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie Europiane, të një Shqipërie demokratike ku qytetarët janë zot të fateve të tyre.

E sotmja është po ashtu një thirrje për rininë që të mos shohin ikjen si zgjidhje, por përballjen dhe fitoren, ashtu siç bëri Azem Hajdari në dhjetorin e 1990 e në vitet që pasuan.

Vepra e Azem Hajdarit është dëshmia e qartë se askush dhe asgjë nuk mund ta ndalë dëshirën, energjinë dhe vendosmërinë e rinisë por edhe të popullit shqiptar për ndryshim. Ndaj është koha që me frymëzimin e Azemit dhe bashkëluftëtarëve të tij të viteve ’90, të hapim rrugën e lirisë, demokracisë, mundësive të barabarta, Shqipërisë si gjithë Europa.

I përjetshëm qoftë kujtimi i heroit të demokracisë, simbolit të luftës dhe përpjekjeve për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë.”

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha shkruan se vepra e Hajdarit është e pavdekshme dhe se ai vazhdon të jetë gjallë.

“Nderim kujtimit dhe vepres  te pavdekshme te Tribunit  te Lirise, Azem Hajdari dhe sivllaut te tij Besim Çera ne pervjetorin e renies se tyre. Azem ti je gjalle! sb”

Shpërndaje
Share.

Komento