2 fëmijë me COVID-19 në vendin tonë, mjekja tregon gjendjen e tyre

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Deri tani në vendin tonë janë infektuar 146 persona mes të cilëve janë edhe dy fëmijë.

Ky fakt është bërë me dije nga Gjeorgjina Kuli, shefja e Infektivit të Pediatrisë, e cila në një lidhje të drejtpërdrejtë me A2, tha se në vendin tonë janë dy fëmijë të prekur me koronavirus, nga mosha 0-14 vjeç, të cilët po kurohen në shtëpi.

Vetëm dy fëmijë, të moshës 0-14 vjeç, kanë rezultuar pozitivë. Njëri pa shenja, ndërsa tjetri po trajtohet në shtëpi, nuk ka nevojë për shtrim në spital”, deklaroi Kuli.

A ka një trajtim të veçantë për fëmijët?

Kuli sugjeroi marrjen e paracetamolit dhe konsumimin e lëngjeve dhe ushqimeve të shëndetshme.

“Do të preferonim paracetamolin, duhen konsumuar shumë lëngje nga fëmijët dhe ushqim i shumëllojshëm. Këto janë trajtimet kryesore për mjekimin e fëmijëve”.

Mjekja tha se në rastet kur fëmijët shfaqin shenja më serioze, si vështirësi në frymëmarrje apo kollë të thatë, duhet të drejtoheni te mjeku pediatër, ose të telefononi te 127.

Sipas Kulit, nëse do të ketë raste të fëmijëve që do të shtrohen në spital, ata do të kenë pavionin e tyre, me hyrje të veçantë, krejtësisht i izoluar nga pjesa tjetër e spitalit.

Ndonëse, më të rrezikuarit nga COVID-19 janë të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, ka patur shumë raste kur janë infektuar edhe fëmijët, madje edhe kanë ndërruar jetë.

Në Itali janë mbi 300 fëmijë të infektuar, por sipas ekspertëve të Institutit Italian të Shëndetit Publik fëmijët reagojnë mjaft mirë kundër këtij virusi, megjithëse kanë një aftësi infektuese më të lartë se personat e tjerë.

Gjithashtu një studim i kryer nga ekspertët kinezë në Wuhan, 15.8% i një kampioni fëmijësh të infektuar nga koronavirusi nuk shfaqin simptomat e COVID-19.

Në 48.5% të rasteve shfaqet simptoma e kollës, në 41,5% temperatura e lartë, në 46.2% dhimbje fyti e në 64% polmonit.

Temperatura ishte simptoma më e zakonshme tek fëmijët me koronavirus.

Shpërndaje
Share.

Komento