Pushteti i drejtësisë është një nga fuqitë themelore për të ardhmen e një vendi nëse edhe qeveria zgjedh të bashkëpunojë me të. Rasti më aktual është ai i Presidentit të El Salvadorit Nayid Bukele i cili u rizgjodh në fillim të këtij viti me afro 85 për qind të votave dhe nuk vonoi për të filluar menjëherë nga puna me reforma thelbësore që si qëllim parësor kishin drejtësinë vend.
Ndërsa rikthimi i tij u përqafua nga të gjithë, Bukele me vullnet të hekurt për të luftuar çdo formë të korrupsionit në kabinetin e tij të ministrave kërkoi në një mbledhje pak pas fitores, hetimin e tyre.
Presidenti i cili ka krijuar reputacion për goditjen ndaj bandave tha në mbledhjen e kabinetit para pak muajsh se nuk do të mbahet mend si President i rrethuar nga kriminelë dhe hajdutë ndaj i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm, i cili ishte ftuar posaçërisht për këtë njoftim të rëndësishëm, të nisë një hetim ndaj të gjithë ministrave të tij.
Videoja ka bërë bujë në rrjet dhe është mbështetur nga shumë aktivistë të krahut të djathtë. Ajo që dimë është se ka qenë pikërisht goditja e bandave kriminale që ka ushqyer popullaritetin e Bukeles, ndaj për ta luftuar atë ai nisi punën nga brenda kabinetit të tij.
Jo më kot morëm rastin e Bukeles, pasi nëse do i bënim një paralelizëm me Qeverinë e vendit tonë, qëndron si nata me ditën. Dhe këtu po flasim për “reformat thelbësore”, të cilat i përmendëm në hyrje të këtij shkrimi dhe që në Shqipëri mungojnë dukshëm.
Kjo është e kuptueshme për shoqërinë tonë të uritur për drejtësinë e munguar në 33 vite me radhë. Për gjatë këtyre viteve fatkeqësisht në vendin tonë ka folur vetëm politika, ndërsa drejtësia ka qenë në sulm konstant.
Për këtë mjafton të marrim vetëm një nga shumë rastet kur kreu i Qeverisë Edi Rama “gozhdon” “minon” dhe gjen rastin të injorojë në mënyra flagrante institucionet e drejtësisë saherë që i preken interesat, ose saherë që kupton se drejtësia me hetimet e saj (SPAK, Prokurori) mund të ndikojnë edhe politikën, edhe vetë qeverinë e tij.
Në Kongresin e PS-së në 8 dhjetor të vitit të kaluar, kreu i Qeverisë dha një mesazh për prokurorët dhe gjykatësit duke u shprehur gjithë fodullëk se ata vërtetë janë pushtet i pavarur, por nuk janë i vetmi pushtet i pavarur. Rama u ndal tek Prokuroria e Tiranës, që sipas tij aty nuk ka shkuar ende drejtësia e re edhe pse nuk janë shumë larg në distancë nga SPAK dhe GJKKO.
“Kjo është Republika e Shqipërisë dhe jo Republika e Prokurorëve dhe gjykatëse. Janë një pushtet i pavarur nga parlamenti dhe qeveria, por nuk janë i vetmi pushtet i pavarur i kësaj republike, e cila ka edhe dy pushtete të pavarura që nuk varen nga pushteti gjyqësor në vendimmarrjen e tyre dhe as nuk japin llogari pushtetit gjyqësor për ushtrimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore”, u shpreh ai.
Më shumë sesa mesazh, ku ishte një paralajmërim që Rama i bëri SPAK dhe GJKKO, ndërsa një ditë më pas nisi “furtuna”. Më datë 9 dhjetor SPAK doli me njoftim për 4 urdhër arreste ndaj 4 zyrtarëve të përfshirë në aferën e Inceneratorëve të Tiranës.
Bëhet fjalë për Taulant Tusha, drejtori i punëve publike në Bashkinë e Tiranës, Namik Simixhiu, ish anëtar i Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Tiranës, Bledar Karoli, ish-zyrtar i Ministrisë së Energjisë si dhe Jetmir Llapaj.
Mes presionit të vazhdueshëm nga qeveria, më 15 Mars të këtij viti Kreu i SPAK në një mbledhje foli për rastet korruptive teksa nënvizoi se denoncimet kanë rënë me 40 për qind.
“Ka një rënie prej 40 për qind të kallëzimeve nga institucionet. Tatimet zero kallëzime, doganat zero. A ka apo jo korrupsion aty. Vetëm KLSH herë pas here depoziton kallëzime në Prokurorinë e Posaçme, patjetër Policia e Shtetit që po…, por detyra e çdo institucioni është të luftojë korrupsionin. Gjatë 2023 kemi regjistruar kallëzime sa për tre vite se bashku, duke qenë të vëmendshëm ndaj raportimeve ne media, kryejmë verifikimet tona dhe nga denoncimet që bëjnë politikanë të ndryshëm në media kemi regjistruar rreth 67 procedime dhe ju përkasin korrupsionit, abuzimit me prokurorimet. Për të qenë të ndërgjegjshëm duhet të bëjmë të gjithë, por ne nuk jemi shkopi magjik që të kontrollojmë çdo gjë. Çdo institucion ka bilbilfryrës, audite, mekanizma dhe nuk referojnë”, u shpreh ai.
Ndërsa më 12 prill të 2024 ka qenë vetë kreu i SPAK i cili përsëri në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit shigjetoi mazhorancën socialiste qeverisëse, teksa theksin e vuri tek numri i lartë i dosjeve të mbartura.
Ai akuzoi Ramën se ka bllokuar punën e SPAK pasi nuk ka dhënë fonde për shtesë personeli të BKH dhe këshilltarë ligjorë që do asistojnë prokurorët në luftën kundër korrupsionit
“Problematike është edhe rënie e referimeve nga institucionet publike, ku edhe nga raporti i depozituar në Kuvend, rënie 40% krahasuar me 2022-shin, përjashtuar Policinë e Shtetit. Po vlerësojmë shtimin e hetuesve të BKH-së pasi 70% e hetime kryhen prej tyre dhe shtimi i tyre është i domosdoshëm. Ndërkohë shqetësuese për SPAK dosjet e mbartura”, deklaroi ai.
Gjithashtu edhe raporti i fundit i KLSH flet vetë. Agjencia e Prokurimeve nuk zhvilloi asnjë hetim për PPP në dy vjet. Një tjetër element që është nënvizuar tek përfundimet nga ana e audituesve të KLSH është fakti që nga verifikimi i dokumentacionit të administruar nga subjekti mbi planet e verifikimit për procedurat e prokurimit publik, procedurat e Koncesioneve/PPP dhe procedurave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për vitet 2022 dhe 2023, u konstatua se: APP si institucion verifikues ende nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për monitorimin procedurave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, me qëllim dhënien e sigurisë për mirëmenaxhim të fondeve publike në këto procedura prokurimi.
Këto të dhëna dhe jo vetëm janë rezultat i skemave të kreut të Qeverisë që hapur minojnë lirinë e institucioneve të drejtësisë për të vepruar. Rastet e denoncimit për korrupsion, apo mungesa e hetimeve për PPP-të tregon qartë se Qeveria përjashton çdo alternativë për të bashkëpunuar me këto institucione ndërkohë që bën propagandë false sikur të jetë në anën e tyre saherë që i preken interesat./ Gazeta Reforma