Kryeministri Rama ka arritur një rekord të ri në mosbindjen institucionale dhe mungesë llogaridhënie. Në dy vitet e fundit, ka pranuar të marrë pjesë në vetëm një interpelancë në parlament.
Më 12 dhjetor 2024, u kërkua interpelancë urgjente me kryeministrin Rama për të dhënë shpjegime rreth vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar që i kushton taksapaguesve shqiptarë 130 milionë euro.
Sot numërojmë saktësisht ditën e 96-të të mosparaqitjes së kryeministrit përpara këtij detyrimi kushtetues. 96 ditë shkelje e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, 96 ditë mungesë transparence për një nga humbjet më të mëdha financiare të shtetit shqiptar.
Kjo braktisje e paprecedentë e detyrimit ligjor erdhi me shantazh të hapur ndaj SPAK. “Nuk vij në interpelancë pa më thënë SPAK çfarë do bëjë me vëllain tim”, deklaroi Rama, duke shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ligji është i qartë: Sipas Nenit 80 të Kushtetutës, kryeministri dhe çdo anëtar i Këshillit të Ministrave është i detyruar t’u përgjigjet interpelancave brenda 21 ditësh.
Ndërsa neni 91 i Rregullores së Kuvendit përcakton se mosbindja ndaj këtij detyrimi përbën shkelje të rëndë dhe mund të çojë në procedura për shkarkimin e funksionarit.
SPAK-u u dëshmua i pafuqishëm përballë presionit politik. Vetëm katër ditë pas kërcënimit të Ramës për të braktisur politikën “nëse vëllai del i përfshirë”, Prokuroria e Posaçme nxori vendimin më absurd në historinë e sistemit të drejtësisë – shpalljen e Olsi Ramës të pafajshëm ndërkohë që pranonte se hetimet nuk kishin përfunduar ende.
Milionat fluturojnë drejt Belgjikës
Ndërsa kryeministri bën lojëra me drejtësinë, gjykata belge ka urdhëruar bllokimin e fondeve të Albcontrol për t’ia kaluar Becchettit. Dokumentet e arbitrazhit ndërkombëtar tregojnë qartë se vendimi erdhi si pasojë direkte e mesazheve kërcënuese të ish-ministrit Veliaj dhe sekretarit Agaçi ndaj biznesmenit italian. Prova që u kthyen në dëshmi shkatërruese për Shqipërinë.
Për një panoramë më të qartë, shifra prej 130 milionë eurosh përfaqëson:
– Koston e ndërtimit të 5 spitaleve rajonale
– Dyfishimin e pensioneve për 50,000 të moshuar për një vit të plotë
– Ndërtimin e 100 shkollave të reja në zonat rurale
– Pagesën e rrogave të 10,000 mësuesve për një vit të tërë
Pavarësisht përmbushjes së kushtit të tij personal – “pastrimit” të vëllait nga SPAK-u – Rama vazhdon të injorojë thirrjet për interpelancë. Kjo tregon qartë se përdorimi i çështjes së Olsi Ramës ishte thjesht një justifikim për t’i shpëtuar përgjegjësisë për milionat e humbura.
Modeli i ri qeverisës: Fol dhe ik
Sjellja e kryeministrit përfaqëson një model të ri qeverisës që po institucionalizohet në Shqipëri. Rama shkon në parlament vetëm për të mbajtur monologje të gjata dhe më pas largohet pa asnjë sekondë debat apo mundësi për pyetje.
Kjo praktikë është tallje e hapur me çdo qytetar që ka paguar taksa për të financuar pagën e kryeministrit dhe ministrave të tij. Çdo shmangje interpelance është shkelje e detyrimit kushtetues dhe cenim i të drejtës së qytetarëve për transparencë.
Sfidë ndaj rendit kushtetues
Çdo ditë, kryeministri po thellohet më tej në shkeljen e rendit kushtetues. 21 ditë javë janë bërë tashmë 96 ditë, gati për nisjen e procedurave për shkarkimin e funksionarit. Megjithatë, me një mazhorancë që lëviz vetëm sipas dirigjimit nga kryeministria, zbatimi i këtij mekanizmi mbetet thuajse i pamundur.
Kryeministri vazhdon lojën e vjetër të fshehjes pas gishtit – një gisht që tani quhet SPAK. Një institucion që duhej të përfaqësonte drejtësinë e re duket se është ndikuar nga presioni politik.
Kryeministri duhet të përmbushë detyrimin e tij kushtetues dhe të paraqitet në interpelancë.
Qytetarët meritojnë të dinë si u humbën 130 milionë euro nga taksat e tyre. Llogaridhënia nuk është luks, por detyrim kushtetues ndaj qytetarëve që paguajnë taksat për të mbajtur institucionet!