Para 2 ditësh një atentat ndodhi tek zona e Liqenit të Thatë në Tiranë, ndaj administratorit të shkollës private “Willson”, i cili u ka shpëtuar mrekullisht plumbave.
Në një deklaratë të dhënë ai shprehet se dyshon se personi që i bëri atentatin e ka ndjekur prej një jave, përkatësisht mes datave 23-30 dhjetor 2021, në afërsi të shkollës.
Ai thekson se në momentin që personi ka gjuajtur, që ishte një djalë i ri, ka folur diçka nëpër dhëmbë. Masha shton se është larguar mënjëherë nga vendi ku personi ka gjuajtur dhe më vonë ka telefonuar policinë.
“Isha tek berberi. Mora makinën për të shkuar në punë pasi jam administrator i shkollës “Wilson”. Unë kam dëgjuar të shtënat. Afër lojërave për fëmijë nga ana e trotuarit, një djalë i ri qëlloi me armë, duke folur diçka nëpër dhëmbë. Jam larguar me shpejtësi nga vendi ku më ka gjuajtur, pastaj kam kthyer mjetin nga drejtimi nga iku personi dhe pasi kam parkuar mjetin në orën 9.42 minuta kam telefonuar policinë. Ky person më ka ndjekur mes datave 23-30 dhjetor 2021 dhe kam vënë re që më ndiqte me sy në afërsi të shkollës”, shprehet Lulezim Masha, administratori i shkollës “Willson” në Tiranë.
Kujtojmë që autori ende i paidentifikuar është larguar në këmbë dhe është shpallur në kërkim.