Drejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Peter Petkoviç i është ndaluar hyrja në Kosovë, pavarësisht de vazhdimisht ka dhënë garanci se do të tregohet i përmbajtur në deklaratat nxitëse. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporsës ka sqaruar në një deklaratë se Petkoviç ka bërë “deklarata provokuese”.
Petkoviç ka bërë me dije se Kosova nu ki ka lejuar të qëndrojë në një vizitë dyditore në Kosovë, të planifikuar më 3 dhe 4 shtator.
“Në kundërshtim me obligimin e marrë dhe zotimin që do të përmbahet nga deklaratat provokuese dhe nxitëse të urrejtjes, ai në vazhdimësi në tri vizitat e fundit haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse, duke kulmuar në vizitën e fundit në inaugurimin e të ashtuquajturit ‘universitetet’ në Mitrovicë të Veriut”, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.
Megjithatë, MPJD e Kosovës nuk e ka sqaruar se për cilat deklarata bëhet fjalë, të cilat cilësohen si provokuese dhe nxitëse të urrejtjes.
Zyra e Petkoviç e ka quajtur të pabazuar vendimin për të ndaluar hyrjen e tij në Kosovë.
Ndërkohë, më 20 gusht Serbia deklaroi se në Mitrovicë të Veriut ka vendosur gurthemelin e të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.
“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti (i Serbisë, Aleksandar) Vuçiç”, kishte deklaruar Petkoviç.
Ky i fundit kishte paralajmëruar një vizitë në Kosovë në 3 dhe 4 shtator.
Lidhur me këtë MPJD ka thënë:
“Bazuar në këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i ka lejuar hyrjen në Kosovë për datat 3-4 shtator 2021 atij, teksa për pjesën tjetër të delegacionit ka miratuar hyrjen.”