Kombëtarja e Iranit është tërhequr zyrtarisht nga pjesëmarrja në Kupën e Botës 2026, turne që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Vendimi u konfirmua nga ministri iranian i Sportit, Ahmad Donyamali, gjatë një interviste televizive.
Sipas tij, Irani nuk ka ndërmend të marrë pjesë në këtë kompeticion pas vrasjes së liderit suprem, Ali Khamenei, ngjarje që ka përshkallëzuar tensionet politike dhe konfliktet në rajon. Donyamali akuzoi drejtpërdrejt qeverinë amerikane për përfshirje në zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe theksoi se situata aktuale e luftës dhe numri i madh i viktimave civile e bëjnë të pamundur praninë e sportistëve iranianë në tokën amerikane.
“Pasi qeveria e korruptuar vrau udhëheqësin tonë, nuk ka më kushte që na lejojnë të marrim pjesë në Kupën e Botës”, deklaroi ministri.
Sipas shortit të mëparshëm, Irani ishte pjesë e Grupit G dhe pritej të zhvillonte të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve në Shtetet e Bashkuara, konkretisht në qytetet Los Anxhelos dhe Seattle. Kundërshtarët e parashikuar të ekipit iranian ishin Zelanda e Re, Belgjika dhe Egjipti.
Pas tërheqjes së Iranit, pritet që FIFA të marrë një vendim për mënyrën e zëvendësimit të skuadrës në këtë grup. Rregullorja e organizatës, konkretisht neni 6.7, i jep FIFA-s të drejtën diskrete për të përzgjedhur një federatë tjetër që mund të zëvendësojë ekipin që tërhiqet nga turneu.








