Era e fortë ka qenë një rrezik konstant ditën e sotme, mirëpo në aeroportin e Rinasit është parandaluar një ngjarje që mund të kthehej në fatkeqësi.
Këputja e disa telave të korrentit si pasojë e erës, kanë shkaktuar një zjarr të fuqishëm pasditen e sotme ngjitur me Aeroportin e Rinasit. Zjarri ka kërcënuar edhe me depërtimin brenda territorit të aeroportit, por fatmirësisht zjarrfikësit kanë mundur që ta vendosin në kontroll dhe ta shuajnë para se të shkaktonte dëme të mëtejshme.
Kanë qenë zjarrfikëset e aeroportit dhe ato të Krujës që kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve të cilat ishin afër një kabine elektrike, me djegien e së cilës mund të rrezikoheshin shumë më shumë persona.
Sigurisht që zjarri për t’u përhapur më shpejt u ndihmua edhe nga era, mirëpo deri më tani gjithçka duket në rregull dhe e vendosur në kontroll.