Infeksionisti Pëllum Pipero është i ftuar në emisionin ‘Open’, ku po flet rreth situatës që paraqitet në vendin tonë, teksa ka dhënë informacione edhe për gjendjen në Spitalin Infektiv.
Mjeku tha se në spital ka pacientë në gjendje të rëndë, shumë të vështirë dhe në gjendje më të lehtë, pra situata duket dinamike.
Më tej, shtoi se pacientët janë në gjendje të rënduar psikologjike dhe ndihen të vetmuar, teksa tregoi edhe një rast kur babë e bir, të dy të shtruar duhet të ndaheshin, pasi babai duhej të futej në terapi intensive, mirëpo Pipero tha se ai nuk donte të ndahej nga i biri.
“Sikundër ka thënë edhe profesoreshë Najada Çomo gjendja në spital është dinamike. Pacientët janë shumë të rënduar psikologjikisht dhe ndihen të vetmuar. Po ndaj një histori me ju, që e kam shumë të vështirë ta them. Kemi në spital të shtruar 2 pacientë babë e bir që ndodheshin në një dhomë. Mirëpo, i ati duhej të ngjitej në repartin e sipërm, por nuk donte të ndahej nga i biri. Ndihej i vetmuar. Unë habitem me personat që janë në shtëpi dhe ankohen. Duhet ta kuptoni se në spital gjendja është shumë më e vështirë. Ndonëse nuk dilni jashtë si gjithmonë në shtëpi jeni më komfort.”
Sakaq, Pipero tha se edhe mjekët po kalojnë një gjendje të vështirë dhe janë shumë të stresuar, madje shtoi me nota humori se nga stresi përfundojnë duke debatuar ose me gruan, ose me rojen e spitalin, sepse iu duket sikur nuk i kupton askush.
Ditën e sotme ndërruan jetë 2 pacientë duke e çuar në 15 numrin e viktimave nga COVID-19 në vendin tonë, sakaq, ka shkuar në 243 numri i të prekurve nga COVID-19, pasi gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 20 raste të reja nga 145 testime të kryera.
Në urgjencën e Infektivit janë të shtruar 77 persona, ku 8 prej tyre ndodhen në terapi intensive, 3 prej të cilëve janë intubuar.
Durrësi ka një shtim të ndjeshëm të numrit të të prekurve me 12 raste të reja, duke shkuar në 26, por nga ana tjetër gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 8 pacientë duke e çuar numrin në 52 numrin e të shëruarve në total.
Ndërkohë, mbrëmjen e sotme ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka dhënë lajmin e mirë se edhe 5 pacientë të tjerë nga Tirana, Fier dhe Kavaja janë shëruar nga koronavirusi, duke e çuar në 52 numrin e të shëruarve.
Sipas saj, të gjithë kanë qënë për më shumë se 2 javë në Spitalin Infektiv, madje 2 prej tyre kanë qënë në gjendje të rëndë, megjithatë ia kanë dalë që të shërohen.