Mbrëmjen e djeshme autobusi që shkaktoi aksidentin e frikshëm pak ditë më parë në Tiranë, është zhvendosur nga brigjet e Lanës me kërkesë të prokurorisë.
Lajmi bëhet i ditur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili thotë se autobusi do të rikthehet sërish aty, menjëherë sapo prokuroria të kryejë hetimet e nevojshme në lidhje me gjendjen autoteknike të mjetit.
“Me kerkese te prokurorise qe po heton aksidentin unik, kerkohet spostimi i mjetit per te bere ekspertizen autoteknike ne garazh/terren. Mjeti u spostua mbreme! Do te rikthehet ne perfundim te hetimeve po aty, si instalacion per kujdesin ne qarkullim. Fundjave te mbare!”, shkruan Veliaj.
Kujtojmë se më 29 prill, autobusi i linjës së ‘Go Green’ doli nga rruga e përfundoi në Lanë. Nga ky aksident u plagosën 5 persona dhe paniku ishte i madh. Autobusi qëndroi për gjatë gjithë kësaj kohe mbi Lanë, veprim ky që sipas Bashkisë do t’i shërbente për sensibilizimin e drejtuesve të mjeteve.
“Më datë 29.04.2022, rreth orës 20:10, në afërsi të Kinema Agimi, një autobus është përplasur me një automjet, dhe si pasojë drejtuesi i autobusit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, dhe ka rënë në Lumin Lana. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar dhe janë paraqitur në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën dy pasagjerët e automjetit që u përplas me autobusin. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, thuhej në njoftim.