Ndërsa Partia Demokratike nuk ka dhënë ende dritën jeshile nëse do t’ia plotësojë apo jo kërkesat disa prej aleatëve të saj, përsa u takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka sfiduar sërish hapur kryedemokratin Lulzim Basha.
Kështu pas Tiranës, kryerepublikani Mediu ka zyrtarizuar listën e kandidatëve për deputetë edhe në Shkodër.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i PR-së, Fatmir Mediu, teksa ishte duke folur në aktivitetin e zhvilluar në kryeqendrën e Veriut, ndërkohë që bie në sy fakti se lista e Partisë Republikane në këtë qark do të kryesohet nga një i majtë si Ditmir Harusha.
Qartë dhe prerë kreu i Partisë Republikane apeloi që Basha të peshojë e madje të vlerësojë kandidatët dhe elektoratin e Partisë Republikane.
“Kandidat të Partisë Republika janë dhe padyshim dhe kandidatë të opozitës. Për mua e rëndësishme është që të bashkohen votat dhe votat nuk i bashkon vetëm Fatmir Mediu, por njerëzit që punojnë dhe republikan edhe një demokrat, prandaj një listë sa më e integruar që prodhon sinergji dhe marrëdhënie të drejta është lista më përfaqësues dhe kam deklaruar se ka të bëjë pesha elektorale e çdo subjekti.
Meqenëse PR me PD ka një marrëdhënie shumë specifike dhe ideja është që jo të ndajmë parcela, por të fitojmë së bashku, ne jemi të gatshëm që në atë hapësirë ku kandidon PR gjykojmë së bashku kush është kandidati më i mirë, për të mos i zënë rrugën asnjë demokrati, por as republikani. Ne po presim një përgjigje nga PD, interesi është bashkimi i opozitës.
Rama bëri Kodin që opozita të jetë e përçarë dhe duhet që këtë bashkim të mos e bëjmë si një pazar, unë e kam thënë, si Medi jam i disponuar të shkoj kudo në të gjitha qarqet e opozitës për t’i shtuar në votë të vlefshme, nuk kam asnjë lloj preference personale, por duke respektuar raportet dhe peshën politike, unë mendoj atë që është më e mira.
Nëse PD në këtë qasje shikojnë që ka diçka që nuk është reale, jam i prirur që t’i konsideroj”, deklaroi kreu i PR-së, Fatmir Mediu.
Ndërkohë, kryerepublikani Mediu komentoi edhe se në çfarë pike janë negociatat me PD.
“Ne vazhdojmë negociatat padyshim, mendoj që kur je në politikë ke një raport me publikun, jo vetëm me kolegët e opozitës, se nuk kemi të bëjmë këtu me një interes apo pazar të PR-së, por me një interes të shtuar nga publiku, se çfarë pritet nga opozita dhe sa më transparente të jetë kjo marrëdhënie, aq më mirë është për Bashën, Mediun, PD-në, PR-në dhe pjesëtarët e tjerë të koalicionit”, ka theksuar kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu./Gazetareforma.com/