Fakti që ekonomia botërore do kalojë një krizë të thellë dhe shume vende do pësojnë rënie të mëdha si pasojë e Covid-19, është tashmë i pashmangshëm.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë ka paralajmëruar se pandemia mund të shkaktojnë recesionin më të thellë të përjetuar ndonjëherë, duke shtuar se bota duhet të synojë shfrytëzimin sa më shumë të mundet të të gjithë nxitësve ekonomikë në zhvillimin e qëndrueshëm për zmbrapsjen e situatës.
Vendi ynë, sipas Bankës Botërore pritet të humbasë 1,4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kurse borxhi publik pritet të rritet mbi 70% të PBB në vitin 2020, teksa defiçti do të rritet në 3,9 për qind të PBB, si pasojë e të ardhurave të pakta për shkak të pandemisë dhe mbështetja financiare e dhënë për rindertimin pas tërmetit të 26 nëntorti të vitit të shkuar.
Gjithashtu, edhe varfëria pritet të rritet me 0.4 për qind, por gjithçka varet nga kohëzgjatja e masave kundër COVID-19, pasojat në punësim dhe në të ardhura.
Sakaq, ditën e sotme Ministri i Ekonomisë së Kosovës, Besnik Bislimi tha se Kosova do të humbë deri në 500 milionë euro si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka deklaruar se pakoja për rimëkëmbjen e ekonomisë, pasi të kalojë pandemia, do të jetë rreth 1 miliard euro, por problemi më i madh për qeverinë do të jetë marrja e mbështetjes nga Parlamenti, pas krizës politike që është krijuar nga mocioni i mosbesimit.
Sipas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, buxheti i Kosovës do të ketë 200 milionë euro më pak këtë vit si pasojë e pandemisë me këtë virus.
Pjesë nga intervista
Zoti Bislimi, sa janë dëmet ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19?
Dëmet ekonomike në tërësi ende nuk dihen pasi pandemia nuk ka përfunduar. Por, ajo që dihet deri më tani është se, përafërsisht në baza ditore pandemia shtetit të Kosovës i ka kushtuar rreth 6 milionë euro. Nëse këto shumëzohen me 50 ditë deri tash që kemi pasur pandemi, i bie që në total kemi humbur në prodhim rreth 300 milionë euro. Të shtojmë këtu edhe ato që mund të humbin edhe gjatë muajit maj, derisa ekonomia plotësisht të kthehet në kapacitete të plota, i bie që në tërësi mund të humb 450 – 500 milionë euro. Në rast se pastaj ecim më ritën normal pjesën tjetër të vitit.
Sa është e lartë kjo shifër për buxhetin e Kosovës, kur kemi parasysh se buxheti kap vlerën mbi 2.3 miliardë eurove?
Buxheti i Kosovës nuk ndikohet proporcinalisht me dëmet në ekonomi për arsye se 2/3 e buxhetit i grumbullojmë përmes tregtisë ndërkombëtare. Tregtia ndërkombëtare nuk ka ngecur me të njëjtin ritëm sikurse edhe ekonomia vendore. Ne deri më tani, për 50 ditë, i kemi 32 milionë euro ulje në raport me vitin e kaluar nga të hyrat doganore, që nënkupton se është përmasa më e vogël. Ndërkaq, në tatimet e brendshme apo të hyrat nga qarkullimi i brendshëm nuk dihen për arsye se kemi bërë shtyrjen e pagesës së disa obligimeve deri në fund të muajit qershor. Kështu që, është herët të dihet sesa do të jetë ndikimi te të hyrat e brendshme tatimore.
Do të thotë, pako për rimëkëmbjen ekonomike do ketë vlerën rreth një miliard euro, gati sa dyfishi i asaj që ka kërkuar komuniteti i biznesit për sanimin e dëmeve?
Komuniteti i biznesit ka thënë se me gjithë intervenimin mund të jetë 600 milionë euro duke përfshirë edhe pakon fillestare, ndërkaq vëllimi i përgjithshëm i injeksionit në ekonomi e kalon mbi një miliard euro, ndërsa nëse futen edhe eksportet atëherë do të jetë më e lartë. Injeksioni është një miliard euro, mirëpo nevoja për një programim nga shteti është më pak se 300 milionë euro, për arsye se pjesa tjetër mbulohet nga sistemi bankar. Ne kemi aplikuar për kredi në disa institucione ne Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar, kemi marrë 50 milionë euro letra me vlerë, i kemi shitur Trustit Pensional të Kosovës, kemi marrë nga Bashkimi Evropian mbi 100 milionë euro, nga Banka Zhvillimore dhe këto mjete do të shkojnë kryekëput për mbulimin e nevojave të Pakos së rimëkëmbjes dhe në të njëjtën kohë në parashohim një mbulesë të shpenzimeve për mallra dhe shërbime në masën e 50 milionë eurove. Dhe njëkohësisht rreth 100 milionë euro nga projektet kapitale dhe të gjitha këto pastaj mjaftojnë për ndërtimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike. Krejt çka na duhet është një parlament funksional që nuk bllokon qeverinë, por ndihmon qeverinë për të ndihmuar bizneset.
Sa vlerësoni se do jetë e vështirë rimëkëmbja në rrafshin ekonomik?
Asnjë rimëkëmbje nuk është e lehtë, por Kosova në këto pika përfiton pak a shumë nga statusi i integruar në ekonominë evropiane dhe i izoluar. Dhe nga fakti që sektori i shërbimeve, siç janë turizmi nuk janë një e hyrë e konsiderueshme e ekonomisë. Po ashtu duhet pasur parasysh se një sektor i madh që është bllokuar në këtë fazë, është i madh nga numri i të punësuarve, mirëpo nuk është i madh për nga kontributi në ekonominë e vendit. Ky është sektori për restorantet dhe turizmi. Këta sektorë nuk janë formalizuar në masën e mjaftueshme, rrjedhimisht edhe pse kanë 6 për qind të te punësuarve, ata kontribuojnë me vetëm 1.5 deri në 1.8 për qind në të ardhurat e përgjithshme të ekonomisë kombëtare. Kështu përmasat e dëmtimit në ekonominë e Kosovës janë dukshëm më të vogla se në vendet tjera, rrjedhimisht potenciali për t’u ripërtërirë më shpejt është më prezent në Kosovë sesa në vendet e rajonit dhe të tjera.
Marrë parasysh situatën aktuale, sa mendoni se do jenë humbjet e buxhetit për këtë vit?
Parashikimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar që do të ketë ulje në të hyra në mbi 200 milionë euro. Por, unë jam shumë optimist se nuk do të kalojë mbi 120- 130 milionë euro në të hyrat e buxhetit. Pastaj diferenca tjetër krijohet përmes rritjes ë shpenzimeve që janë pjesë e pakos emergjente dhe pakos së rimëkëmbjes ekonomike.
Dhe në fund zoti Bislimi, keni ndonjë numër për rritjen e papunësisë në Kosovë, a dini sa është përqindja?
Statistikat nuk janë ende të përditësuara. Mirëpo, nisur nga mënyra sesi është dizajnuar pako për momentin nuk kemi rritje të shkallës së papunësisë, por kemi rritje të punësimit. Për arsye se bizneseve, kur i kemi thënë që mos t’i largojnë punëtorët nga puna dhe kemi motivuar të bëjnë këtë, për arsye se kur e mban një punëtor ai merr 170 euro, kurse nëse e largon punëtorin, punëtori merr 130 euro.
Do të thotë, ka arsyetime se punëtorët të mbesin në marrëdhënie pune. Ndërkohë,që janë paraqitur edhe 8,000 të tjerë që janë pajisur me kontrata pune. Që do të thotë, zyrtarisht kemi rritje të punësimit dhe nuk kemi rritje të papunësisë.