Mbrëmjen e sotme zbardhen më shuml detaje nga e vërteta e zhdukjes së Eduard Belegut e cila me kalimin e viteve u bë edhe më e vështirë, për shkak të interesave të shumtë ku ai ishte përfshirë.
Ai kishte në zotërim disa biznese, duke filluar nga hidrokarburet, licencat minerare, shërbime, por ndërkohë ishte i lidhur fuqishëm edhe me pushtetin, për shkak të pozicionit të tij si këshilltar i lartë në sektorin energjetik, çka mund të kenë sjellë edhe prishje të interesave deri në majat më të larta.
Po kështu, Belegu ishte edhe në marrëdhënie huash dhe konflikte pronësie me ortakët e tij, gjë e cila u konstatua edhe gjatë hetimeve për zhdukjen e tij.
Ku përfshihen shumë personazhe të botës së biznesit, interesa të mëdha ekonomike, çka e kanë bërë thuajse të pamundur zbardhjen e ngjarjes.
Nëse nuk ishte një histori klasike rrëmbimi dhe zhdukjeje me vetëm një personazh, a është e lidhur kjo histori e ndërthurur me interesat në botën minerare dhe monopolet ku ishte përfshirë si biznesmen dhe zyrtar.
Për herë të parë emisioni “Në shënjestër” në News24 hedh dritë edhe mbi dëshminë e njërit prej ortakëve të tij.
Arefi Jakupllari, ishte ortak me Eduard Belegun në kompaninë minerare ‘Kuarci Blace’ në Pogradec, ku siç del edhe më pas në dosjen e prokurorisë, thuhet se dy ortakët kishin mosmarrëveshje për çështjen e pronësisë.
Në dëshminë e tij përpara grupit hetues, Jakupllari është shprehur se ortaku i tij Belegu, e ka marrë në telefon më datën 23 mars, rreth orës 11:28.
Pikërisht ditën e ngjarjes, vetëm dy orë para se të humbte përfundimisht gjurmët. Një telefonatë të cilën ortaku i tij e ka cilësuar si jo normale.
Dëshmia e Arefi Jakupllarit
“Më datën 23.03.2010 rreth orës 11:28 më ka telefonuar Eduarti, por unë isha në një lokal me zhurmë dhe nuk i fola. E kam marrë vetë pas 1 minute, dmth në 11:29, dhe telefoni është hapur.
Unë i kam thënë alo, alo, alo, kam dëgjuar disa tipe zhurmash dhe një zë, ‘të marr vetë më vonë’, dhe më pas unë e mbylla telefonin. I kam rënë më vonë rreth orës 12:30 dhe më pas, binte zilja por Eduarti nuk përgjigjej, deri sa më vonë më del telefoni i fikur. Telefonata e bërë në orën 11:29 nuk mu duk normale. Dukej që Eduarti nuk ishte mirë dhe zëri i tij nuk ishte normal…”.
Kontradiktat në ndarjen e pronësisë së minierës së kromit midis ortakëve, janë pranuar edhe nga bashkëshortja e Eduart Belegut. Ajo ishte në dijeni të mosmarrëveshjeve, të cilat i deklaroi edhe përpara grupit hetues.
Dëshmia e Ilirjana Belegut
“Edi ka pasur edhe një konflikt tjetër me dy ortakët e tij të punës me shtetasin Arif JAKUPLLARI dhe Fatos PENGU (edhe kushëri të tij, djalë teze), ku të tre së bashku kanë kryer një aktivitet për nxjerrjen e kromit në zonën e Përrenjasit dhe e dërgonin jashtë shtetit. Konflikti i tyre ka lindur në ndarjen e aseteve të kësaj firme që drejtohet nga Eduarti, Fatosi dhe Arifi”.
Lidhur mbi këtë dëshmi të Ilirjana Belegut, që hedh dritë mbi kontradiktat që kishte bashkëshorti i saj, prokuroria mori në pyetje edhe ortakun tjetër, Fatos Pengu.
Që njëkohësisht ishte edhe djalë teze me të zhdukurin. Ky i fundit pranoi debatet lidhur mbi pronësinë, të cilat i cilësoi si të vogla, si edhe rrëfeu takimin e tyre të fundit, vetëm një ditë para zhdukjes.
Dëshmia e Fatos Pengut
“Eduartin e kam takuar ditën e hënë në datë 22.03.2010 në Durrës kur po ngarkonim mallin (kromin) në kontejnerë për jashtë shtetit. Kemi punuar deri vonë në port dhe më pas jemi larguar për në shtëpi, ai për në Tiranë kurse unë në shtëpi në Durrës…”.
Mosmarrëveshjet për pronësinë e minierës së kromit midis ortakëve pranohen edhe nga Ardian Pengu, djali tjetër i tezes së Eduart Belegut. Njëkohësisht vëllai i Fatos Pengut.
I marrë në pyetje nga prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, Ardian Pengu, nxjerr në dritë një tjetër mosmarrëveshje ku ishte përfshirë, Eduard Belegu.
Çka e bënte edhe më të komplikuar punën e prokurorisë për zbardhjen e ngjarjes. Atë të një borxhi që shtetasi Ervin Shijaku, administrator i kompanisë Shega-Trans, i kishte Eduart Belegut.
Dëshmia e Ardian Pengut:
“Me Eduartin për herë të fundit unë jam takuar rreth një muaj përpara se ai të zhdukej në Tiranë te lokali dhe në shtëpinë e tij. Unë me Eduartin takohesha sa herë më binte rruga për në Tiranë ose për ndonjë sebep. Unë kam pasur shumë relata me Edin më shumë si shok se sa si kushërinj.
Unë kam pasur dijeni nga kontaktet që kisha me vëllain tim Fatosin dhe me Arefi Jakupllarin që kishin një mosmarrëveshje për punën e një pagese të Shega Trans e cila ende nuk i është dhënë atyre.
Këtë gjë ma ka thënë dhe vetë Edi i cili më ka shpjeguar dhe për këtë mosmarveshje që kishte me Shega-Transin.
Di që më vonë Edi ka komunikuar disa herë me pronarin e Shega-Trans, madje disa herë kam qenë dhe unë kur është bërë biseda në lidhje me këtë mosmarrëveshje.
Në këto biseda ka qenë Arefi, Fatosi, Edi, Tomori dhe unë. Këto biseda janë bërë tek lokali i Edit në Tiranë dhe tek zyra e Ervin Shijakut.
Për këtë shkak unë kam qenë në brendësi të bisedave që janë bërë për këtë çështje e cila vazhdon të jetë në gjyq.
Di që kohët e fundit Edi, Arefi dhe Fatosi po diskutonin mundësinë e ndarjes më vete të tyre në procesin e shitjes së kromit dhe ndarjes së mjeteve që ata mund të kishin në përdorim.
Këta të tre kishin rreth tre-katër vjet që punonin si ortak së bashku në shitjen e kromit. Por nuk di që asnjëherë të kenë shkëmbyer fjalë të ashpra apo të kenë debatuar në lidhje me ndarjen e biznesit të tyre.
Të mërkurën, një ditë pas zhdukjes së Edit, paradite më ka marrë vëllai, Tomorri, në telefon, dhe më tha që Edi ka që dje që nuk gjendet dhe më tha që do shkoj në Tiranë. I thashë që po vij dhe unë kur të kalosh në Pogradec takohemi dhe shkojmë në Tiranë.
Kemi shkuar në Tiranë po atë ditë pra të mërkurën dhe kam marrë në telefon Gëzimin, vëllain e Edit i cili më tha që po iki në Shkodër për një koncert. Në Tiranë jam takuar me Fatosin, Arefiun dhe Tonin Gjonajn dhe jemi përpjekur të interesohemi me të njohurit për të gjetur se ku mund të ishte Edi”.
Kontradiktat e Eduart Belegut me kompaninë Shega Trans, i pranon edhe Tomorr Pengu, edhe ky kushëri i parë me të zhdukurin.
Dëshmia e Tomorr Pengut
“Shtetasin Eduart Belegu unë e kam djalin e tezes sime. Me Eduartin për herë të fundit unë jam takuar në fund të muajit shkurt të këtij viti tek karburanti i tij në Qafë-Thanë.
Me Edin unë marrëdhëniet i kisha shumë të mira jo vetëm se e kisha kushëri, por dhe marrëdhënie si shokë. Unë e di që Edi punonte me vëllain tim Fatosin për shitje kromi. Në ndonjë rast unë kam qenë i pranishëm kur Edi me Fatosin diskutonin së bashku për shitjet apo blerjet e kromit.
Por në asnjë rast unë kam dëgjuar që Edi të konfliktohej me Fatosin apo me mua në lidhje me tregtinë e kromit. Unë kam mësuar nga Edi dhe Fatosi që ata kishin një problem me Shega-Trans pasi kishin për të marrë një sasi të hollash nga Shega-Trans në lidhje me shitjen e një sasie kromi.
Madje unë jam takuar disa herë se bashku me Edin dhe Fatosin edhe me pronarin e Shega-Trans shtetasin Ervin Shijaku në zyrën e tij. Aty Edi dhe Fatosi kanë biseduar për dokumentet dhe marrjen e lekëve nga Ervini.
Dua të theksoj se ne asnjëherë nuk kemi pasur debate të ashpra në këto takime, jo vetëm me Ervinin por as me njëri-tjetrin.
Siç thashë unë kam qenë në këto takime për të ndihmuar sa të mundja vëllain tim për të marrë paratë e tij nga Shega-Trans.
Për sa i përket faktit të zhdukjes së Edit unë e mësova ditën e mërkurë një ditë pas zhdukjes së tij dhe ma tha vëllai im Fatosi i cili më mori në telefon dhe më shpjegoi që Edi ka që dje që ka ikur nga shtëpia dhe nuk gjendet.
Unë mora në telefon vëllain tjetër Ardianin dhe i thashë për problemin e Edit, dhe po atë ditë të dy u nisëm për në Tiranë. Në Tiranë takuam të afërmit tanë dhe të Edit dhe u interesuam në polici dhe me të njohur për të mësuar se ku mund të ishte Edi.
Në 20 mars kam folur për herë të fundit me Edin në telefon dhe thjesht jemi përshëndetur, madje mbaj mend që në këtë bisedë Edi po më pyeste pse s’më ke marrë në telefon. Unë i thashë që kam pasur punë në lokal dhe s’jam bërë mukajet të telefonoj”.