Është zbardhur dëshmia e 28-vjeçarit, Marjus Dema i cili vrau me armë zjarri shokun e tij Mehmet Qema. Autori u vetëdorëzuan në polici mëngjesin e sotëm. Ndërsa në Drejtorinë e Tiranës u vetëdorëzua pas negociatave të policisë me avokatin dhe familjarët e tij. Gjithashtu në polici është dorëzuar edhe Frenklin Myftari, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje.
Dema në polici është shprehur se nuk donte që ta vriste shokun dhe se nuk e dinte që pistoleta ishte e mbushur. Ai ndër të tjera ka thënë se arma ishte pa karikator dhe se e kishte sjell në tavolinë Mehmet Qema. Gjithashtu ai shprehet se pas krimit ka qenë i tronditur dhe nuk e mban mend ku e ka lënë armën, thuhet në dëshminë e BallkanWeb.
“Armën në tavolinë e solli Mehmeti, na tha se e kishte gjetur në rrugë. Arma ishte pa karikatorë dhe e vjetër. Unë e mora pasi i kam qejf armët dhe po luaja me të e po ua drejtoja shokëve, sepse e konsideroja të padëmshme. Nuk e dija se kishte plumb brenda. Pas krimit u trondita shumë nuk e mbaj mend ku e lashë armën”, mësohet të ketë thënë 28-vjeçari në polici.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi një natë më parë pas orës 23:00. Qema u dërgua në spital nga miqtë e tij, por fatkeqësisht mbërriti i pajetë në duart e bluzave të bardha. Aktualisht janë në kërkim edhe katër të tjerë: Erlin Peka, Blerim Hoti, Braild Aga dhe Xhuliano Koçi.