Zbardhet dëshmia e gardianit Fatjon Baci, i cili akuzohet se i ka dhënë në mënyrë të paligjshme një telefon kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, gjatë transportit nga paraburgimi i Durrësit drejt Gjykatës së Apelit të Posaçëm.
Dëshmia:
Fatjon Baci shpjegon se pas mbarimit të seancës gjyqësore të datës 11.03.2025 i dha telefonin Erion Veliajt.
“…Në momentin që është nisur furgoni, 5-10 minuta pasi ishim nisur, pranë shinave te lumi i Tiranës, Erioni më tha që a mund t’i bëja një nder se donte të merrte vëllain e tij në telefon, pasi ndihej keq. Unë në ato momente kam qenë i prerë, dhe ja dhashë telefonin. Numrat me të cilët komunikoi, i ka formuar Erioni vetë. Bisedën e parë e ka bërë me vëllain e tij, emrin e së cilit nuk e di. Në bisedë, unë dëgjova që Erioni tha: ‘folën avokatët, foli prokurori dhe gjyqtari.’ Erioni në bisedë i thoshte se ishte shumë i shqetësuar për këtë pjesë. Në dijeninë time dhe siç më tha Erion Veliaj, ai do të bisedonte vetëm me vëllain. Nga ana juaj kam kuptuar që atë ditë kishte folur edhe me nusen e tij. Unë nuk arrita ta kuptoja kur u mbyll telefonata e parë dhe kur nisi telefonata e dytë, për shkak se në rrugë kishte zhurmë. Erioni e ka përdorur telefonin tim për 2-3 minuta.”
Në lidhje me shoqërimin e të paraburgosurit Erion Veliaj, shtetasi Fatjon Baci ka shpjeguar ndër të tjera se i ka kërkuar telefonin para mbërritjes në SPAK dhe pas mbarimit të seancës gjyqësore. Shtetasi nën hetim shpjegon se në komunikimin e datës 12.03.2025, para se të shkonte në SPAK, nuk e ka dëgjuar se çfarë ka biseduar. Ndërsa pas mbarimit të seancës gjyqësore, personi nën hetim deklaron:
“… Mbaj mend se e kemi pritur dhe pasi mbaroi seanca, nuk e mbaj mend orën fiks, por pasi ka dalë nga gjyqi e kemi hipur në furgon ku jemi nisur për në IEVP Durrës. Para se të kalonim shinat e trenit, pranë SPAK-ut, më ka kërkuar prapë telefonin për të bërë një telefonatë me vëllain. Unë ia kam dhënë nisur nga frika që kisha, për shkak të pushtetit dhe personit që përfaqësonte. Në telefonatë, ai ka folur me vëllain ku thoshte se avokatët i kishin thënë që në seancë ke folur 10/10, pra shkëlqyeshëm, edhe Erioni i thoshte vëllait se avokatët kishin thënë se nuk kishin parë njeri kaq të përgatitur. Gjatë komunikimit me vëllain, Erioni i ka thënë se mund të kishte shpresa që të dilte, pasi vendimi ishte shtyrë për ditë tjetër. Erioni i shprehej se nuk ishte i kënaqur që shpallja e vendimit ishte shtyrë për ditën tjetër. Mesa kujtoj, pasi mbaroi bisedën me vëllain, Erioni nuk ma ktheu telefonin se bëri telefonatë tjetër, pa më thënë mua. Kujtoj se ka biseduar me gruan e tij. Këtë gjë e kuptova se u dëgjua një zë femre. Me gruan e tij, foli të njëjtat gjëra si me vëllain. Erioni i thoshte gruas së tij se në seancë kishte folur edhe për përgjimet që i kishin bërë. Po kështu, gjatë bisedës me bashkëshorten, Erioni i thoshte që të shkonte të takonte avokatin për të bërë një prokurë apo kontratë, që mos t’i vinte aforfe. Pra, kërkonte që të bënte kontratën për çmimin e avokatit. Pasi foli me gruan, më tha nëse mund ta përdorte telefonin edhe për disa minuta, pasi donte të lexonte lajmet. Kur më ktheu telefonin, nuk më tha asgjë. As faleminderit. Kam dorëzuar Erionin në IEVP dhe jam larguar për në banesë. Gjatë rrugës, verifikova numrat, që ishin po të njëjtët që kishte biseduar një ditë më para. Pra dy numrat, vëllai dhe bashkëshortja. Numrin tjetër që përmenda më sipër që kishte ‘21’ nuk e gjeta. Kam fshirë thirrjet dhe kam vijuar programin tim ditor.”
Në datë 13.03.2025, shtetasi Fatjon Baci ka shpjeguar se Erion Veliaj i ka kërkuar dhe ka aksesuar aparatin e tij telefonik para mbërritjes në SPAK dhe pas daljes së tij nga ambientet ku u njoh me vendimin. Ky shtetas shpjegon se:
“Sa kemi kaluar shinat, në vendin ku ka qenë një Pazar që shiteshin gjëra të vjetra, Erioni më kërkoi telefonin që të bënte një telefonatë. Unë ia dhashë, dhe foli me vëllain e tij. Këtë gjë e di se e kam verifikuar më vonë. Vëllait i thoshte: ‘S’kam çfarë të them, e kanë me mua personale’. Nuk i mbaj mend detajet e tjera, por di që ka bërë dhe një telefonatë tjetër me bashkëshorten e tij, ku i tha që të kujdesej për djalin dhe unë dëgjova Erionin që po qante. I thoshte që nuk është e drejtë që djali të rritet vetëm, nuk i kam bërë keq njeriu, nuk ka të mirë për të mirin. Nuk e mbaj mend fiks se me kë, për shkak se edhe unë jam i ngarkuar, por Erioni i ka thënë bashkëshortes ose vëllait se: ‘Të sakrifikonin një nga studentët për deputet, sikur të ishin sëmurë apo nuk ndiheshin mirë nga gjendja shëndetësore, dhe që të futej Erioni si kandidat për deputet, që t’i shpëtonte burgut’. Këtë gjë e thoshte se është Plani B, plani i vetëm për të shpëtuar. Ai mbaj mend se më ka thënë se edhe disa kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peci apo një me mbiemër Malaj, po bëhen deputetë që t’i shpëtojnë SPAK-ut. Po kështu, Erioni gjatë bisedës me gruan ose vëllain, thoshte se Ulsiun e ka nxjerrë ai deputet nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e SPAK-ut, i thoshte Erioni se Ulsiun e dinte që e kishte mik. Pasi mbaroi bisedat telefonike, Erioni më kërkoi që të lexonte lajmet.”