Ditën e sotme policia ka njoftuar se ka liruar 3600 m2 plazh në Himarë, Pogradec dhe Durrës. Bëhet me dije se 5 biznesmenë dhe katër zyrtarë bashkiakë janë proceduar nga policia.
Ata akuzohen se kanë zaptuar hapësirat publike në plazhe, si në Himarë, Pogradec dhe Durrës.
4 administratorë subjektesh janë proceduar për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” “Moslëshimi i kuponit tatimor” dhe “Pushtimi i tokës”.
Njoftimi i policisë:
Himarë/Pogradec/Durrës Vijon operacioni “Plazh i lirë”
Lirohen rreth 3600 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme.
Porcedohen penalisht 5 administratorë subjektesh si dhe 4 zyrtarë bashkiakë.
Policia e Shtetit vijon zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave ” Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore”.
Policia e Vlorës liron një hapësirë zonë të mbrojtur në Plazhin e Gjipesë – Himarë, e cila shkon deri në 3000 m2, si dhe rreth 600 metra në Potam e Qeparo. Në total lirohen 3600 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme.
Sekuestrohen rreth 200 shezlongë dhe 100 çadra plazhi, të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike.
Procedohen 4 administratorë subjektesh për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” “Moslëshimi i kuponit tatimor” dhe “Pushtimi i tokës”.
Procedohet penalisht edhe një zyrtar në Bashkinë e Himarës.
Komisariati i Policisë Himarë në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe forcat e FNSH Fier, kanë ushtruar kontrolle në subjektet që ushtrojnë aktivitet biznesi në zonën e bregdetit përgjatë plazhit të Himarës (Gjipe, Potam dhe Qeparo).
Nga ky kontroll rezultoi se 4 subjekte tregtare ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e “Stacionit të plazhit” pa paguar detyrimet financiare dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga Bashkia Himarë. Në përfundim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit Ll. Sh., M.Dh., F.B. dhe A.Z., me detyrë administratorë të këtyre subjekteve.
Po gjatë operacionit, Policia procedoi penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasin L.M (Drejtor i Drejtorisë së Tatim Taksave pranë Bashkisë Himarë) pasi dyshohet se ka lejuar dy nga këto subjekte tregtare të ushtrojë aktivitetin në plazh pa u pajisur me kontratë qiraje në Bashki dhe pa kupon tatimorë, duke mos vepruar në funksion me detyrën e tij.
-Operacioni ka vijuar edhe në Pogradec ku janë proceduar penalisht për “Shpërdorim detyre” tre inspektorë të Drejtorisë së Tatim Taksave në Pogradec, konkretisht shtetasit:
G.L, A.P, dhe E.B, banues në Pogradec, (të tre me detyrë inspektorë kontrolli në Drejtorinë e Tatim Taksave në Pogradec), pasi nuk kanë ushtruar kontrollin e nevojshëm në disa subjekte private të cilat kishin lëshuar me qira më shumë shezlongë, sesa iu kishte miratuar me leje Bashkia Pogradec, duke zënë hapësira publike në zonën e plazhit.
-Në vijim të operacionit, në Durrës tek shkëmbi i Kavajës, gjatë kontrollit në një plazh privat u konstatuan rreth 160 shezlongë në administrim nga shtetasja D.D., e cila nuk lëshonte kupton tatimor. U procedua penalisht shtetasja D.D për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Operacioni po vijon çdo ditë me shtrirje në gjithë zonat bregdetare në territorin e Republikës së Shqipërisë.