Mediat kanë bërë me dije se Policia e Shtetit ka arritur që të identifikojë tre autorët që ekzekutuan me armë zjarri efektivin e FNSH-së, 26-vjeçarin Xhulio Prela.
Mësohet se rreth kësaj ngjarjeje, Policia ka shoqëruar 30 persona nga Miloti, në cilësinë e dëshmitarit të ngjarjes, në momentin kur u vra 26-vjeçari Prela.
Ende nuk janë bërë publike emrat e autorëve, ndërkohë që vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Si ndodhi ngjarja?
Xhulio Prela u ekzekutua me armë zjarri më 5 dhjetor në rrugën Lezhë-Milot, në afërsi të vendit të quajtur Gajush.
Prela kishte çuar një shokun e tij në Aeroportin e Rinasit, dhe më pas ishte nisur drejt Lezhës.
Bëhet me dije se në autostradën Lezhë-Milot, është përballur me një person i cili i ka bërë shenjë me elektrik dore që të ndalonte.
26 vjeçarin ka ndaluar dhe ka debatuar me këtë person. Këtë e kanë konfirmuar dhe hetuesit, të cilët në vendngjarje kanë parë se xhami i shoferit ishte i ulur, çka tregon se viktima ka ndaluar dhe ka folur me personin që i ka bërë shenjë. Teksa debatonte me këtë person, pranë makinës me të cilën Xhulio Prela udhëtonte është afruar një mjet tjetër.
Sapo është afruar pranë makinës ku ndodhej Xhulio, nga mjeti tjetër është hapur zjarr me një pistoletë TT.
Mësohet se makina e autorëve pas ngjarjes ka shkuar në drejtim të Laçit.
Dyshohet se Prela ka komunikuar në telefon me një person para se të vritej. Sakaq, pamjet dhe telefoni i viktimës janë dërguar për analizim.
Identifikimi i autorëve ka qenë i vështirë në fillim, pasi nga pamjet filmike në rrugë ishte e vështirë të identifikohet automjeti i autorëve, pasi pamjen e vrasjes e ka penguar një mjet i tonazhit të rëndë./Gazetareforma.com/