Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për dhjetë personat e përfshirë në ngjarjen e Elbasanit, ku mbeti i vrarë aktivisti i PS-së, Pjerin Xhuvani. Të gjithë do të hetohen në gjendje të lirë, teksa i vetmi që mbetet në burg është autori, Arbër Paplekaj. Ky i fundit nuk e ka apeluar vendimin që gjykata dha më herët ndaj tij.
Ish-efektivi i “RENEA”-s u vetëdorëzua në policia pas ngjarjes së Elbasanit, ku Struktura e Mbrojtjes së votës e ngritur nga PD u përplas me mbështetësit e PS. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mes palëve mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani. Ndërkohë që e gjithë ngjarja ndodhi në prezencë të forcave të policisë së Elbasanit.
NGJARJA – Ngjarja ndodhi në lagjen “5 Maj” të qytetit të Elbasanit. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë aktivisti i Partisë Socialiste, Pjerin Xhuvani ndërsa të plagosur mbetën një efektive policie Xhensila Sota, edhe tre persona të tjerë.
Përplasja me armë ndodhi për shkak të zgjedhjeve. Në vendin e ngjarjes mbërriti më pas nëndrejtori i Policisë së Elbasanit Abert Nushi dhe disa efektivë të Shqiponjave. Pas mbërritjes së policisë, në vendngjarje erdhi edhe një automjet me simpatizantë të PS-së.
Në këtë moment ka nisur edhe shkëmbimi i zjarrit mes palëve, por vijon të jetë e paqartë se kush qëlloi i pari. Pak minuta pas ngjarjes u vetëdorëzua në policia ish-efektivi i RENEA-s Arbër Paplekaj, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ky i fundit ka thënë se ka qëlluar për vetëmbrojtje.