“Miq, Gëzuar Vitin e Ri 2020! Qëndroni sa më larg njerëzve të këqij, mashtrues dhe të pa besë”, shkruante Kastriot Reçi nga Rrësheni në një urim të shoqëruar me këshillën. Këto rreshta u shkruan vetë disa ditë para se ta vrisnin me snajper. Prokuroria ka një vit që mundohet të hedhë dritë mbi vrasjen e biznesmenit, po pa rezultat.
Dyshime për dy efektivë të RENEA-s
Dy policëve të Repartit të RENEA-s u është marrë analiza e ADN-së për tu krahasuar me gjurmët e lëna nga snajperisti që goditi Kastriot Reçin, pronarin e “Media Plus”. Ai u qëllua nga një distancë prej 150 metrash me një armë precize. Ngjarja ka lidhje me një serial krimesh në Rrëshen, por të mbetura pa autor.
Megjithatë snajperisti ka lënë gjurmë që mund ta identifikojnë, si një qese kikirikësh, bishta cigareje dhe një ambalazh çokollate.
Nga këto gjurmë janë marrë profile ADN-je, por ende nuk është arritur të zbulohet autori i krimit. Mes personave që janë verifikuar dhe ballafaqur me provat mësohet të jenë dhe dy efektivë të forcave speciale RENEA, të cilët fillimisht u dyshuan se mund të kishin lidhje me këtë ngjarje të rëndë.
ADN-janë është analizuar me imtësi, por përfundimi nuk ka qenë kategorik. Më pas ato janë dërguar Europolit për një analizë të thelluar.
Në janar 2020, në mes të shoqëruarve ishte edhe Preng Gjini, i cili në shtator 2020 i shpëtoi një atentati në Tiranë bashkë me kushëriri i tij, Fatjon Dautaj.
Pasi janë marë në pyetje në polici dy kushërinjtë janë lënë të lirë. Hasmëria mes dy fiseve Gjini dhe Reçi filloi në vitin 2016, dhe dyshohet se vijon të prodhojë viktima .
Më 15 dhjetori 2020, është vrarë në Rrëshen Anton Keli, djali i hallës së vëllezërve Gjini. Vrasja është kryer 26 ditë para se Kastriot Reçi, të mbushte një vit nga ekzekutimi më 7 janar.
Kronologjia
Sipas kronologjisë, Sajmir Jaku u vra në 9 shtator 2016, Gaspër Reçi në 28 prill 2017, Kreshnik Gjini në 6 shtator 2017, Armando Gjini u tentua u vra në 13 gusht 2019, Kastriot Reçi, në 7 janar 2020, Preng Gjini u plagoset me bombë në makinë në 15 shtator 2020, Anton Keli u ekzekutua në 15 dhjetor 2020.