Dy nga autorët e dyshuar për vrasjen makabre të 23-vjeçarit Renis Dobra në Ulëz të Matit janë arrestuar nga policia, ndërsa dy të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.
Në pranga kanë rënë Petrit Çakrri, i njohur edhe me emrin Hoxhaj, i kapur në Lekbibaj të Tropojës, si dhe Fatjon Bushgjoka, i arrestuar në Tiranë. Ndërkohë, Kristi Bushgjokaj dhe Aleksandër (alias Aleksander) Bushgjokaj janë shpallur në kërkim si bashkëpunëtorë të tjerë të dyshuar në këtë krim.
Sipas hetimeve, Çakrri ka marrë me qira dy automjete në zonën e Rinasit, një Range Rover të zi dhe një Hyundai të bardhë, të cilat dyshohet se janë përdorur në organizimin e vrasjes.
Pasi makinat janë dorëzuar në pikën e marrjes me qira, grupi ka marrë sërish automjete të tjera për të shmangur gjurmët.
Çakrri rezulton me precedentë penalë të mëparshëm, përfshirë vjedhje, përplasje me policinë dhe një arrestim në vitin 2017 për mashtrim të rëndë ndaj një biznesmeni nga Vora, të cilit i kishte marrë 4.4 milionë lekë duke i premtuar mallra me çmime të ulëta.
Pikërisht GPS-i i një prej automjeteve të përdorura dhe kamerat e sigurisë kanë ndihmuar hetuesit të rindërtojnë lëvizjet e autorëve dhe të lidhin itinerarin e tyre me viktimën, Renis Dobra.
23-vjeçari ishte raportuar i zhdukur në mbrëmjen e 8 korrikut, ndërsa trupi i pajetë u gjet mëngjesin e 9 korrikut pranë liqenit të Shkopetit, në fshatin Madhesh.
Ai ishte dhunuar brutalisht, mbytur me litar dhe më pas hedhur së bashku me makinën në ujë. Dyshohet se trupi ka dalë nga automjeti dhe është zbuluar pas kërkimeve intensive të familjarëve dhe policisë.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa janë shoqëruar edhe persona të tjerë në Dibër, Tiranë dhe Tropojë për të zbardhur rolet dhe motivin e saktë të kësaj ngjarjeje të rëndë.