Këtë të premte, Marjus Dema pritet të dalë para gjykatës së Tiranës për t”u njohur me masën e sigurisë, pasi akuzohet se vrau mikun e tij, Mehmet Qema rreth mesnatës së 10 majit. Mësohet se prokuroria ka kërkuar nga gjykata që ai të mbahet në masën e sigurisë “arrest me burg”.
Mësohet se deri tani, ndaj Demës rëndon akuza e vrasjes me dashje dhe armë mbajtjes pa leje. Megjithatë do të jetë fundi i hetimeve që do e përcaktojë nëse vrasja ka ndodhur me dashje apo nga pakujdesia, siç ka pretenduar Dema.
Sipas hetimeve paraprake, ka rezultuar se Dema dhe Qema ndodheshin në një local bashkë me miqtë e tyre, jashtë orës policore.
Ka qenë rreth mesnatës, kur Dema ka nxjerrë pistoletën dhe qëlloi për vdekje mikun e tij. Para hetuesve, ai ka thënë se vrasja ndodhi nga pakujdesia, pasi ai nuk e dinte që arma ishte e mbushur. Disa orë pas krimit, Marjus Dema u vetëdorëzua në polici dhe e pranoi krimin. Pas tij janë vetëdorëzuar edhe Frenkli Myftari, Erlind Peka, Bralid Aga, Blerim Hoti dhe Xhuljano Koçi,që ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes në momentin kur ndodhu krimi.
Aktualisht ndaj tyre janë hapur hetime me akuzat për moskallëzim të krimit dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Nga hetimi rezulton se ata kanë prishur vendin e ngjarjes dhe kanë fshehur pistoletën me të cilën u krye krimi. Veç këtyre, të arrestuarit po hetohen edhe në lidhje me një pajisje me të cilën dyshohet se prodhoheshin bitcoin, që u gjet në një ambient pranë vendit të ngjarjes.