Vrasja e Iljaz Çalit në autostradën Tiranë-Durrës, vuri në qendër të vëmendjes edhe dy bossa të kromit të Bulqizës. Bëhet fjalë për Rrahim Dedja, biznesmen i pasur në Bulqizë i firmës ‘Brisel’ e njohur si një kompani e skandaleve dhe vdekjeve të punëtorëve, për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë dhe për Ilir Camin, një tjetër biznesmenë i qytetit më të pasur me njerëz të varfër dhe shoku i ngushtë i Lefter Allës, kryetarit të Bashkisë Bulqizë i cili u bë meme për rrugën ‘moderne’ që shtroi në Dragu të Bulqizës. Të dy pronarë të dy prej minierave ku humbin jetën shumë minatorë të cilët punojnë në të zezë pa siguri. Cami dhe Dedja akuzohen se mund të jenë pas vdekjes së Iljaz Çalit, biznesmenit tjetër të Çali-Metal.
Dedja i kishte borxh Çalit 350 mijë euro. Ishte Zeqir Çali, vëllai i Iljazit ai që deklaroi në prokurori se Dedja u kishte borxh 1 milion dollarë pasi para 3 viteve i kishin dhënë 2400 ton krom. Ilir Cami është një tjetër biznesmen që është marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e Iljaz Çalit pasi dy vëllezërit kanë pasur disa probleme mes tyre sa i takon biznesit të kromit. Mbrëmjen e 3 prillit u regjistrua një atentat me armë zjarri në autostradën tiranë-Durrës. Viktimë mbeti 37-vjeçari Iljaz Çali, i cili ishte biznesmen me 50 % të aksioneve të firmës Çali-Metal.
Pista ku po hetohet ngjarja është larja e hesapeve për konfliktet e biznesit. Dyshohet se Çali është ekzekutuar nga vrasës me pagesë, ndërsa thuhet se 37-vjeçari është mbajtur në vëzhgim nga një tjetër person, i cili i ka dhënë autorëve informacion për lëvizjet e viktimës. Deri më tani për tragjedinë janë shoqëruar në komisariat rreth 15 persona të cilët janë familjarë të viktimës, por edhe persona që kanë pasur përplasje e konflikte në biznes me viktimën. Dedja ka qenë edhe anëtar i këshillit bashkiak të Bulqizës, ku mbronte interesat e tij private dhe politike të Partia e të Drejtave të Mohuara.