Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë për hetimin e vrasjes së Gilmando Danit dhe plagosjes së Muçi Shaljanit, ngjarje e ndodhur në muajin nëntor në Rinas. Pas verifikimeve të kryera, organi i akuzës ka arritur në përfundimin se hetimi i kësaj çështjeje i takon Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
Atentati ndodhi mesditën e 11 nëntorit, pranë aeroportit të Rinasit. Nga breshëria e plumbave mbeti i vrarë Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, ndërsa u plagos Muçi Shaljani, i njohur me nofkën Sheqeri.
Sipas të dhënave, Dani dhe Shaljani po lëviznin me një automjet tip Benz i bardhë luksoz, kur autorët, që udhëtonin me një makinë tjetër, u kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar me armë zjarri. Automjeti me të cilin po udhëtonin viktimat ishte në pronësi të Elvis Kosovës, ndërsa në timon ndodhej Muçi Shaljani, punonjës i AMP, dhe Dani ishte pasagjer.
Mësohet se Gilmando Dani kishte mbërritur në Shqipëri nga Barcelona dhe u ekzekutua vetëm pak minuta pasi ishte futur në automjet. Pas atentatit, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Fushë Krujës me një mjet tip Toyota Yaris me targa greke.
Pak minuta pas ngjarjes, automjeti i përdorur për atentatin u gjet i djegur në fshatin Halil. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve tashmë do të vijojnë nën drejtimin e SPAK.







