Arrestohet autori i vrasjes së Briken Sanajt, ngjarje e ndodhur në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, dy vite më parë. Policia njofton se Vladimir Kola është kapur në Gjermani dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë.
Kola u ndihmua nga dy persona të tjerë. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për hakmarrje, pasi vite më parë, viktima, kishte lënë të plagosur vëllanë e Kolës. Roli i Kolës në vrasje, u konfirmua dhe nga kqyrja e kamerave të sigurisë, ndërsa ai dyshohet se pak ditë përpara krimit, hyri ilegalisht në Shqipëri, pasi nuk rezultonte i regjistruar në sistemin TIMS. Kamerat e sigurisë e fiksuan Kolën, në një lokal në Lezhë, ku ka marrë dy shtetas kosovarë, që dyshohet se e ndihmuan në vrasjen e Sanajt.
Ndërkohë disa orë para ekzekutimit të Sanajt, Vladimir Kola, është fiksuar nga një tjetër kamera sigurie te “Rruga e Kosovarëve”, ku ka marrë një taksi dhe ka udhëtuar drejt Lezhës.
Natën e krimit, ai ka udhëtuar nga Lezha drejt “Kodrës së Diellit” ku e ka pritur viktimën që të mbërrinte pranë vilës së tij, ku dhe e qëlloi për vdekje atë që e konsideronte si hasmin e tij.
Motivi i krimit dyshohet të jetë hakmarrja, pasi 10 vite më parë, vëllai i viktimës, kishte plagosur Gentian Kolën. Familjet Kola dhe Sanaj kishin bërë tentativa për t’u pajtuar pas kësaj ngjarje, por nuk kishin mundur të shuanin konfliktin mes tyre.
NJOFTIMI I POLICISË:
Policia e Shtetit/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme me homologët, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe homologëve gjermanë, finalizohet operacioni policor i koduar “Versus”.
I akuzuar për vrasje me paramendim, në vitin 2022, kapet në Gjermani, pas shkëmbimit të informacionit mes palëve, dhe arrestohet me qëllim ekstradimi në Shqipëri, 41-vjeçari.
Në vijim të punës për gjurmimin, lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga DVP Tiranë dhe shkëmbimin e tyre në kohë reale, mes Interpol Tiranës dhe Interpol Ëiesbaden, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i përbashkët, i koduar “Versus”.
Në kuadër të këtij operacioni, është lokalizuar në qytetin Gelsenkirchen, Gjermani, dhe është arrestuar më qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi shqiptar V.(V.) K., 41 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Tiranës, me vendimin e datë 23.11.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Më datë 30.10.2022, në zonën e quajtur “Kodra e Diellit”, shtetasi V.(V.) K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin B. S.
Vijon puna për ekstradimin e 41-vjeçarit, në Shqipëri.