Pas afro dy vitesh proces gjyqësor në Gjykatën e Lezhës, Prokuroria ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin portugez Ruben Saraiva, i akuzuar si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj, i vrarë në prill të vitit 2023 në Shëngjin.
Seanca e sotme zgjati rreth një orë, gjatë së cilës organi i akuzës paraqiti pretencën për dënimin maksimal. Sipas Prokurorisë, provat e administruara gjatë hetimit dhe shqyrtimit gjyqësor faktojnë se Saraiva është autor i drejtpërdrejtë i vrasjes së ndodhur më 19 prill 2023, brenda ambienteve të lokalit në pronësi të Nikulajt në Shëngjin.

Sipas dosjes hetimore, Ruben Saraiva akuzohet për veprën penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Organi i akuzës ka argumentuar se krimi ishte i organizuar dhe i planifikuar në detaje.
Nga hetimet ka rezultuar se autori dyshohet se ka vepruar i maskuar dhe ka qëlluar disa herë ndaj biznesmenit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ngjarja u regjistrua nga kamerat e sigurisë së lokalit, pamje që u bënë publike dhe shkaktuan reagime të forta në opinionin publik.
Prokuroria ka theksuar se roli i Saraivës ka qenë kyç në realizimin e ekzekutimit, ndërsa gjatë procesit janë paraqitur prova materiale, dëshmi të personave të pranishëm, si dhe ekspertiza balistike e teknike, të cilat sipas akuzës vërtetojnë përfshirjen e tij në këtë ngjarje të rëndë.
Vrasja e Ardian Nikulajt tronditi jo vetëm zonën e Lezhës, por mbarë vendin, për shkak të mënyrës së organizuar të kryerjes së krimit dhe profilit të viktimës si biznesmen i njohur në zonë.
Në përfundim të paraqitjes së pretencës, pritet që Gjykata e Lezhës të shpallë vendimin në një nga seancat në vijim, ku do të vendoset përfundimisht mbi fatin e të pandehurit Ruben Saraiva.








