Tri ditë pas gjetjes së trupit të Alban Semakut në breg të Lumit Shkumbin, burime bëjnë me dije se ngjarja është drejt zbardhjes. Policia e Elbasanit ka pasur bashkëpunim të pjesshëm me atë të Lushnjes pasi ka peshën më të madhe në hetim. Procesverbali i ngjarjes ndodhet në duart e tyre duke qenë se konstatimi i trupit të 38-vjeçarit është bërë në zonën e mbuluar prej saj, në afërsi të Peqinit.
Policia ka disa emra të skeduar për të cilët dyshon se mund të kenë lidhje me ngjarjen, ndërsa ka vijuar marrja në pyetje të tyre apo edhe të familjarëve dhe të njohurve të Semakut.
Shumë shpejt bëjnë me dije burimet nga OraNews.al do të ketë një pasqyrim të plotë të ngjarjes referuar hetimeve të kryera deri tani, por grupi i hetimit është tepër i rezervuar për të pranuar nëse ka persona të identifikuar për të cilët ka prova se mund të jenë përfshirë në vrasje.
Ndërkohë të gjitha veprimet duke nisur nga momenti i konstatimit të ngjarjes, deri më tani, nuk janë marrë të plota në dorëzim nga Prokurorinë e Elbasanit, pasi ende policia po bën veprime.
Kujtojmë që Alban Semaku u gjet i pajetë buzë lumit Shkumbin në Peqin.
Autorët e kanë qëlluar fillimisht me një plumb mbrapa koke dhe më pas e kanë qëlluar në pjesën e shpinës të paktën me tre plumba, duke e braktisur më pas në vendin e krimit.
Sipas bluve në vitin 2006, 38-vjeçari është ekstraduar nga Italia, pas një vendimi të gjykatës së Lushnjes, pasi ishte dënuar për vrasje, si pjesë e një grupi kriminal.