Ekzekutimi i Renato Hoxhajt mëngjesin e 27 prillit 2025 në Vlorë ka tronditur opinionin publik dhe ka zbuluar një skemë kriminale me përmasa ndërkombëtare.
Viktima, 58 vjeç, u qëllua me katër plumba dy në kokë dhe dy në trup në momentin që doli nga pallati ku banonte.
Vrasja është kryer me saktësi profesionale nga një autor i maskuar, i cili kishte qëndruar në pritë për rreth 90 minuta në afërsi të banesës.
Autori, një shtetas rumun me precedentë penalë, rezulton të jetë një vrasës me pagesë, i kontraktuar nga një person që njihet në botën e krimit si “Reno i Vogël”, aktualisht i lokalizuar në Dubai.
Sipas hetimeve, ai është larguar menjëherë nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Qafë Botës, pak orë pas krimit.
Pamjet filmike të sigurisë tregojnë një autor të qetë dhe të përgatitur, i maskuar me silikon në fytyrë dhe me bark artificial për të shmangur identifikimin.
Veshja e tij, e papërshtatshme për stinën, ishte e menduar për të mos tërhequr vëmendje dhe për të fshehur gjurmët e vërteta të identitetit.
Hetimet kanë zbuluar një tjetër detaj të rëndësishëm, në trupin e Hoxhajt janë gjetur plumba nga dy armë të ndryshme, çka lë të kuptohet se autori mund të ketë përdorur dy armë gjatë ekzekutimit.
Ai është parë të lëvizte me një makinë tip “Range Rover”, e cila ishte blerë rreth tre javë para ngjarjes në Tiranë dhe është pikasur nga kamerat para dhe pas atentatit, por më pas është zhdukur pa lënë gjurmë.
Për këtë ngjarje është arrestuar Eris Mehmetaj, i dyshuar se ka ndihmuar autorin duke i vënë në dispozicion mjetin me të cilin ai lëvizi.
Mehmetaj ka mohuar çdo përfshirje, duke deklaruar se ia kishte lënë makinën një miku, pa e ditur për çfarë do të përdorej.
Emri i këtij personi nuk është bërë ende publik, ndërsa lidhja e Mehmetajt me viktimën kalon përmes një tjetër figure të njohur, Roan Brahimi, mik i tij, i cili u vra në maj 2024 në Greqi.
Ngjarja po hetohet si pjesë e një rrjeti të gjerë kriminal, ku vrasësit me pagesë përdoren për të eleminuar kundërshtarët në mënyrë të sofistikuar.
Ndërkohë, autori i vrasjes mbetet në kërkim dhe autoritetet shqiptare po punojnë në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e porositësve.