Prokuroria e Durrësit ka kërkuar dënime të rënda për familjarët e përfshirë në vrasjen makabre të Pëllumb Metës, ngjarje e ndodhur më 10 shkurt 2024 në Shënavlash. Në seancën gjyqësore të 16 shtatorit 2025, prokurorja paraqiti pretencën, duke kërkuar burgim të përjetshëm për Hysen Metën dhe 30 vite burg për motrën e tij, Hygerta Meta. Përfshirje në ngjarje u provua edhe për pjesëtarë të tjerë të familjes, ndaj të cilëve janë kërkuar dënime më të lehta.
Sipas akuzës, Hysen Meta dhe motra e tij Hygerta planifikuan me qetësi eliminimin e babait të tyre, duke siguruar një armë zjarri dhe vendin ku do kryhej krimi. Në ditën e ngjarjes, ndërsa viktima ndodhej në kuzhinën e banesës, Hyseni e qëlloi katër herë, tre prej plumbave që e goditën në kokë dhe trup rezultuan fatalë. Pas vrasjes, të dy bashkëpunuan për të zhdukur gjurmët: mbështollën trupin, e groposën në kasollen e bagëtive pranë shtëpisë, fshehën armën dhe zhdukën sendet personale të të ndjerit.
Hetimet zbuluan se më pas Hysen Meta tentoi të mashtrojë autoritetet duke bërë kallëzim të rremë në polici, ku pretendoi se babai ishte larguar nga banesa me dëshirën e tij. Gjatë procesit gjyqësor, Hygerta pranoi të pyetej dhe deklaroi se vrasjen e kreu vëllai i saj në prani të saj.
Prokuroria ka kërkuar:
Burgim të përjetshëm për Hysen Metën për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” në bashkëpunim, si dhe për mbajtjen pa leje të armës dhe fshehjen e kufomës.
30 vite burg për Hygerta Metën, pas bashkimit të dënimeve për vrasje dhe fshehje të kufomës.
5 vite burg për Amarildo Metën, djalin tjetër të familjes, për fshehjen e trupit.
3 vite burg për Blerina Metën, bashkëshorten e Hysenit, për veprime që penguan zbulimin e të vërtetës.
Gjykata e Durrësit pritet të japë vendimin përfundimtar pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë dhe mbrojtjes së të pandehurve.