Në Shqipëri fenomeni i fëmijëve të pashoqëruar azilkërkues në vendet e BE-së, vijon të mbetet shqetësim për autoritetet dhe studiuesit e zhvillimeve shoqërore. Sipas të dhënave të Eurostat në 10 vitet e fundit, 2120 fëmijë të pashoqëruar kanë kërkuar azil në vendet e BE. Kjo e bën Shqipërinë vendin e vetëm europian, sipas ekspertëve, me një numër kaq të lartë të fëmijëve emigrantë të pashoqëruar nga prindërit. Arsyet e largimit nga vendi lidhen kryesisht me mungesën e perspektivës për të ardhmen. Autoritetet njoftojnë përmirësim të politikave sociale dhe ndërgjegjësuese me familjet me qëllim parandalimin e këtij fenomeni, që i ekspozon fëmijët përballë rreziqeve si përdorimi i tyre nga grupe kriminale apo trafikimi.
Shqipëria vijon të përballet me një prej fenomeneve më shqetësuese të viteve të tranzicionit, atë të emigracionit. Studiuesit veçojnë në të, elementin e azilkërkuesve në vendet e BE, që sipas tyre meriton vëmendje.
Që prej vitit 2012 sipas të dhënave të Eurostat, në vendet e BE, kanë kërkuar azil mbi 230 mijë shtetas shqiptarë, mes tyre 66 mijë e 800 fëmijë, ose rreth 28.5%, pjesa më e madhe nën 14 vjeç. Këto shifra në lidhje me fëmijët emigrantë e vendosin Shqipërinë në vendin e pestë, menjëherë pas vendeve që kanë njohur luftëra e konflikte si Afganistani, Siria apo Iraku.
Sipas të dhënave kjo prirje vazhdoi edhe në vitin 2022. 11 600 shtetas shqiptarë kërkuan azil në vendet e BE-së, 34% e tyre fëmijë. Por për studiuesit fytyra më e trishtuar e këtij e emigracioni është ajo e fëmijëve të pashoqëruar. Sipas Eurostat 2 120 fëmijë të pashoqëruar nga Shqipëria kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, për periudhën 2012-2022. Kjo sipas studiuesve e bën Shqipërinë vendin e vetëm europian me një numër kaq të lartë të fëmijëve emigrantë të pashoqëruar nga familja.
“Bëra shkollën 9 vjeçare dhe nuk kisha mundësi për shkollën e mesme. Edhe po ta vazhdoja, do merrja një diplomë, gjendje pune Shqipëria nuk ka. Shikoja shokët e mi, kishin vazhduar shkollën e lartë, kishin diplomë por nuk kishin punë. Thjesht e kuptova dhe u nisa këtej. U largova nga Shqipëria, të kisha një të ardhme për veten time dhe të ndihmoja familjen”- tha për Zërin e Amerikës një i ri në Francë që nuk dëshironte të identifikohej.
Ky i ri arriti ta fitojë azilin në Francë, dhe sot në moshën 20 vjeçare punon me një kontratë të rregullt në sektorin e ndërtimit, por ai dhe mjaft të tjerë, kanë përshkuar një rrugë të vështirë. Mbi ta ka rënduar një peshë që e tejkalon moshën e tyre dhe jo të gjithë ja kanë dalë. Ata mbërrijnë në vende të BE, të pashoqëruar nga prindërit, por në shumicën e rasteve, të nxitur nga ata dhe me miratimin e tyre. Deklarohen në strukturat e vendit pritës si minorenë dhe merren në mbrojtje si të tillë. Kjo rrugë përdoret prej tyre me qëllim përfitimin e dokumentave të qëndrimit në këto vende më me lehtësi se një azilkërkues i rritur.
Elda Spaho Bleta, gazetare dhe eksperte komunikimi, e angazhuar vullnetarisht në qendra ku strehohen të mitur të pashoqëruar në Francë, vendi i tretë destinacion në BE, për azilkërkuesit, thotë për Zërin e Amerikës, se fëmijët kanë të njëjtat arsye si të rriturit, kur kërkojnë azil, kryesisht për një të ardhme më të mirë. Por rruga e tyre, siç shprehet ajo është shpeshherë mjaft e rrezikshme.
“Sipas një studimi të Asamblesë Kombëtare të deputetëve në Francë, 10% e fëmijëve të pashqoëruar në Francë, bien pre e sistemit kriminal. Nuk ka të dhëna për fëmijët shqiptarë. Ka patur raste që kanë filluar këto krimet e vogla, vjedhje në dyqane, sherre mes tyre. Ata nuk e kuptojnë se sa e rëndë është për ta. Kjo rëndon dosjen e tyre dhe bëhët pengesë për integrimin e tyre”- u shpreh për Zërin e Amerikës Elda Spaho Bleta, gazetare.
Njohës të zhvillimeve shoqërore në Shqipëri konstatojnë se fenomeni i fëmijëve azilkërkues të pashoqëruar e ka burimin te gjendja ekonomike dhe sociale e familjes, varfëria, divorci apo konfliktet e ndryshme. Gëzim Tushi, sociolog ngarkon me përgjegjësi strukturat shtetërore, që siç thotë ai duhet ta parandalojnë këtë fenomen.
“Shteti nuk është pa përgjegjësi në shfaqjen e këtij fenomeni. Politikat për mbështetjen e familjes janë të domosdoshme. Duhet të jemi të vërtetë, jo të gjithë prindërit që i kanë lëshuar fëmijët të pashoqëruar në emigracion janë familje antifëmijë. Kanë situata të caktuara, kanë probleme ekonomike, nuk e mbajnë dot familjen. Një pjesë e tyre mund të jenë të paaftë për punë. Të ardhurat e tyre janë të kufizuara, prandaj duhen kombinuar politikat e autoritetit social me politikat e mbështetjes sociale dhe ekonomike për familjen”- u shpreh për Zërin e Amerikës Gëzim Tushi, studiues, sociolog.
Agjensia shtetërore për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, thotë se në bashkëpunim me struktura të tjera shtetërore, po punon me familje dhe prindër në komunitet, për ndërgjegjësimin e tyre, mbi rrezikun që i kanoset fëmijës kur emigron i vetëm. Sipas kryetares së kësaj agjensie Alma Tandili, po i kushtohet rëndësi politikave social-ekonomike dhe forcimit të kontrolleve në kufi, me qëllim parandalimin e këtij fenomeni.
“Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale ka patur në fokus gjatë vitit që shkoi rritjen e buxhetit për nënat me shumë fëmijë, rritjen e shërbimeve në qendrat komunitare. Por unë mendoj se kjo nuk ështe vetëm çështje ekonomike dhe e perspektivës për të ardhmen. Është mungesë informacioni, kemi mjaft raste që fëmijët kanë humbur kontaktet me familjet, nuk mendoj se është zgjidhje të lësh fëmijën në derën e policisë së Francës. Në ato raste që ne do të evidentojmë braktisje të fëmijës, do merren masa deri në ndjekje penale të prindërve”-tha për Zërin e Amerikës Alma Tandili, kryetare e Agjensisë për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.
Fëmijët e pashoqëruar azilkërkues janë në mënyrë të vazhdueshme të ekspozuar ndaj rreziqeve, si përdorimit të tyre nga grupe kriminale apo trafikimit. Por dhe kur ja dalin pasojat që lë kjo fazë e jetës larg familjes në një moshë të mitur janë të mëdha.
“Rreziku më i madh për ta është dëmi psikologjik emocional. Ata nuk janë më fëmijë. Që në moshën 14 vjeç janë vetëm. Kanë barrë të madhe. Nuk i tregojnë familjes vështirësitë që kalojnë këtej. Nuk mendoj se këta fëmijë do jenë të rritur të ekuilibruar që do dinë të ndërtohen së brendshmi në mënyrë të shëndetshme. I pret një jetë e vështirë”- vijoi Elda Spaho Bleta, gazetare.
Në Shqipëri ka disa përpjekje të strukturave shtetërore dhe të organizatave jo qeveritare për integrimin e emigrantëve të kthyer, përfshirë dhe fëmijët. Por drejtues të fondacionit “Terre des hommes” në Shqipëri i përfshirë në këto programe konstatojnë se shërbimet për këtë qëllim, nuk janë të shtrira në gjithë vendin.
“Problem është se shërbimet si nga ne ashtu dhe nga bashkia është e vështirë të arrijnë në çdo cep të vendit, sepse këto fëmijë vijnë nga shtrirje të ndryshme gjeografike dhe jo vetëm nga qendrat e qyteteve ku janë të mundshme këto shërbime”- u shpreh për Zërin e Amerikës Renata Cenko, Menaxhere e Programit të Migracionit dhe Anti-trafikimit, Fondacioni Terre Des Homes, misioni Shqipëri.
Ndërsa sociologu Gëzim Tushi vë theksin te zhvillimet e vrullshme të 30 viteve të fundit në Shqipëri, shpeshherë kaotike, që kanë sjellë mjaft pasoja te fëmijët.
“Janë tronditur në përgjithësi institucionet e autoritetit social, është tronditur familja, shkolla. Ka përgjegjësi dhe shkolla në këtë fenomen të fëmijëve të pashoqëruar në emigracion. Sepse ka fëmijë që humbasin interesin për shkollën, që vijnë në shkollë dhe nuk e duan shkollën. Pra është familja, shkolla, situata ekonomike të cilat kërkojnë një strategji nga shteti”- vijoi Gëzim Tushi, studiues, sociolog.
Emigracioni, edhe pse ka patur ulje-ngritjet e veta, ka qenë një plagë që e ka shoqëruar në vijimësi në tre dekada Shqipërinë. Statusi i saj i dobët ekonomik dhe social, ka detyruar qindra mijra qytetarë të kërkojnë një të ardhme më të mirë në vendet e zhvilluara në perëndim. Këtë barrë të rëndë, në shifra të larta po e mbajnë dhe fëmijët dhe sipas studiuesve kjo është një hemoragji që duhet ndalur. Politikat shtetërore në mjaft raste të pamjaftueshme, sipas tyre, bëjnë që emigrimi i fëmijëve të pashoqëruar të vazhdojë, mes rreziqesh të panumërta për ta, në një botë ku shkojnë si fëmijë, dhe jetojnë si të rritur./VOA