Teksa numri i viktimave nga koronavirusi në vendin tonë ka shkuar në 22, Bashkia e Tiranës ka vendosur të mbulojë të gjitha shpenzimet funerale të familjeve që kanë humbur të afërmit prej COVID-19.
Lajmi është bërë i ditur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili gjatë ndarjes së pakove ushqimore për familjet në nevojë tha se një nga vendimet e sotme të Këshillit Bashkiak do të jetë pikërisht lehtësimi i familjeve që në këtë periudhë të vështirë humbasin të afërmit e tyre.
“Kam bërë një propozim për mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak: të gjitha shpenzimet funerale, sidomos të familjeve që kanë humbur dikë prej virusit, t’i mbulojë bashkia. Kjo është një luftë dhe këta njerëz, për shkak të një viroze, ranë në betejë, ndaj funeralet do t’i mbulojmë ne si shpenzime sepse nuk dua që këto familje, mes 100 halleve, të jenë duke vrarë mendjen edhe për këtë”, tha Veliaj.
Nga ana tjetër, Veliaj siguroi se në këtë periudhë nuk do të mungojë ndihma për asnjë familje në nevojë apo të moshuar që jeton vetëm dhe siguroi familjet që jetojnë në çadra ose në shtëpi-kontenierë, se do të kenë gati shumë shpejt edhe banesat e reja.
“Do ecim pak më shpejt me shtëpitë tani që mbaruam dosjet, pasi pjesa e dokumentacionit është pjesa më e rëndësishme. Shtëpitë e reja që janë bërë, janë më të mira se ato që u prishën nga tërmeti. Ne do të vazhdojmë me dosjet e shtëpive, pavarësisht virusit”, tha Veliaj.
Deri tani në vendin tonë janë regjistruar 377 të infektuar, teksa ditën e sotme në përditësimin e përditshëm të Ministrisë së Shëndetësisë u vu re një rënie e ndjeshme e të prekurve për 24 orë: nga 29 që ishte dje në 16 persona positive nga koronavirusi që u raportuan sot.