Katër shtetas të Republikës së Shqipërisë janë arrestuar nga policia në Serbi, pasi dyshohen për nxitje të urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Brendshme e Serbisë.
Sipas autoriteteve serbe, njëri prej të ndaluarve kishte publikuar në rrjetet sociale një video ku shfaqej i veshur me një bluzë që mbante hartën e ashtuquajtur “Shqipëria e Madhe”. Në pamje, ai udhëtonte me një automjet tip “Audi”, së bashku me tre persona të tjerë.

Ministria e Brendshme e Serbisë pretendon se katër shtetasit shqiptarë kanë përdorur fjalë të papërshtatshme ndaj Republikës së Serbisë, çka ka çuar në ndërhyrjen e policisë dhe ndalimin e tyre.
Të arrestuarve u është komunikuar masa e paraburgimit deri në 48 orë. Pas këtij afati, ata pritet të dalin përpara Prokurorisë Publike në Beograd, e cila do të vendosë për hapat e mëtejshëm të procedurës.








