Qendra e riatdhesimit në Gjadër, ngritur në kuadër të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për mbajtjen e emigrantëve të paligjshëm, është kthyer në një hapësirë të izoluar, ku vetë koha duket se ka humbur kuptimin.
Sipas raportimeve nga mediat italiane dhe dëshmive të mbledhura, në këtë strukturë janë shënuar të paktën 45 episode protestash, vetëlëndimesh apo tentativash vetëvrasjeje, që prej nisjes së funksionimit të saj.
Edhe pse të dhënat zyrtare mbi numrin e personave të ndaluar mungojnë, duke përfshirë edhe për deputetët që nuk arrijnë të kenë akses të drejtpërdrejtë në informacion, vlerësohet se rreth 80 persona janë mbajtur në muajt e fundit në këtë qendër.
Ndërkohë, vizitorët raportojnë se në kontaktet me të ndaluarit, pyetjet më të shpeshta që dëgjojnë janë: “Çfarë dite është?” dhe “Çfarë ore është?” tregues i një gjendjeje psikologjike të rënduar dhe të shkëputur nga realiteti.
Shkaktarë të kësaj gjendjeje mendohet të jenë përdorimi i barnave psikotrope dhe kushtet e izolimit të thellë.
Nuk lejohet mbajtja e orëve apo përdorimi i celularëve. Televizorët ekzistojnë, por janë të fikur. Vizitorët përshkruajnë ambientin si steril, i rregullt, i heshtur, ku mungesa e perceptimit të kohës dhe pamundësia për të ndjekur realitetin jashtë, krijojnë një ndjesi të frikshme boshllëku dhe kontrolli të heshtur.
Struktura në vetvete nuk ngjan me qendrat e mbipopulluara dhe rrënuara italiane, nuk ka zjarrvënie, tym apo trazira të përditshme, por gjithçka mbetet nën sipërfaqen e heshtjes. Ajo është e re, larg vëmendjes publike dhe mediatike, e mbrojtur nga një regjim kontrolli që e bën edhe vetë hyrjen e deputetëve apo eurodeputetëve një sfidë të gjatë dhe të lodhshme.
E vendosur rreth një orë larg nga Tirana, në një zonë të izoluar ndërmjet maleve dhe lumit Drin, qendra ndodhet 22 kilometra nga bregdeti dhe është ndërtuar për të qëndruar jashtë syrit të publikut, por jo jashtë impaktit që ka te ata që mbahen brenda saj.
Një strukturë e ndërtuar për të kontrolluar flukset migratore, por që ndërkohë përballët me një krizë të heshtur, të brendshme dhe njerëzore.