Administrata e presidentit Donald Trump deklaroi se ka bindur Venezuelën të devijojë furnizimet e saj të naftës nga Kina dhe të eksportojë deri në 2 miliardë dollarë naftë të papërpunuar drejt Shteteve të Bashkuara, pavarësisht embargos ekzistuese.
Sipas Uashingtonit, kjo marrëveshje përputhet me synimin e shpallur të Trump për të vënë nën kontroll rezervat gjigante të naftës së vendit anëtar të OPEC-ut në Amerikën e Jugut, pas rrëzimit të liderit Nicolas Maduro, të cilin administrata amerikane e ka cilësuar prej kohësh si diktator të përfshirë në trafik droge dhe aleat të kundërshtarëve të SHBA-së.
Megjithëse aleatët e Partisë Socialiste të Maduros mbeten në pushtet, presidentja e përkohshme Delcy Rodríguez po ndjek një qasje të balancuar mes denoncimit të asaj që e quan “rrëmbim” të Maduros dhe nisjes së bashkëpunimit me SHBA-në, nën paralajmërime të drejtpërdrejta nga Trump.
Trump deklaroi se SHBA-ja synon të rafinojë dhe të shesë deri në 50 milionë fuçi naftë të papërpunuar të bllokuara në Venezuelë për shkak të sanksioneve amerikane. Kjo, sipas tij, është hapi i parë për ringjalljen e një sektori që ka qenë prej vitesh në rënie, ndonëse vendi zotëron rezervat më të mëdha të naftës në botë.
“Kjo naftë do të shitet me çmimin e tregut dhe ato para do të kontrollohen nga unë, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të siguruar që të përdoren në dobi të popullit të Venezuelës dhe të Shteteve të Bashkuara!” shkroi Trump të martën.
Venezuela nuk e ka konfirmuar zyrtarisht ekzistencën e marrëveshjes. Ndërkohë, çmimet e naftës së papërpunuar ranë rreth 1 për qind në tregjet globale, për shkak të pritshmërive për rritje të furnizimit.
Marrëveshja mund të kërkojë fillimisht ridrejtimin e ngarkesave të destinuara për Kinën, e cila është blerësi kryesor i naftës venezueliane, ndërsa Karakasi përpiqet të shkarkojë miliona fuçi të mbetura në cisterna dhe depo.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, reagoi ashpër duke e cilësuar veprimin amerikan si bullizëm. “Përdorimi i hapur i forcës nga Shtetet e Bashkuara kundër Venezuelës dhe kërkesa për ‘America First’ kur Venezuela disponon burimet e saj të naftës janë akte tipike bullizmi,” tha ajo në një konferencë për shtyp, duke shtuar se këto veprime shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin e Venezuelës.
Kina, Rusia dhe aleatët e majtë të Karakasit kanë dënuar gjithashtu operacionin amerikan për kapjen e Maduros gjatë fundjavës, që përbën ndërhyrjen më të madhe të Uashingtonit në Amerikën Latine që nga pushtimi i Panamasë në vitin 1989 për rrëzimin e Manuel Noriegës. Edhe disa aleatë të SHBA-së kanë shprehur shqetësim për precedentin e kapjes së një kreu shteti të huaj, ndërsa Trump ka lëshuar paralajmërime për veprime të mëtejshme në rajone të tjera.
Dhjetëra të vrarë gjatë kapjes së Maduros
Detajet mbi operacionin mbeten të paqarta. Forcat Speciale amerikane hynë në Karakas me helikopterë gjatë natës së së shtunës, duke thyer rrethimin e sigurisë së Maduros dhe duke e kapur atë pa humbje jete nga ana amerikane.
Autoritetet venezueliane nuk kanë konfirmuar numrin total të viktimave. Ushtria publikoi një listë me 23 të vrarë, ndërsa Kuba deklaroi se 32 anëtarë të forcave të saj ushtarake dhe të inteligjencës humbën jetën. SHBA-ja vlerëson se numri i viktimave arrin rreth 75, sipas Washington Post.
Maduro, 63 vjeç, i cili drejtoi Venezuelën që nga vdekja e Hugo Chávez në vitin 2013, u deklarua i pafajshëm të hënën për akuzat për trafik droge në një gjykatë në Manhatan, ku u paraqit i prangosur dhe i veshur me rroba burgu.
Administrata Trump duket se po llogarit se stabiliteti i Venezuelës kërkon bashkëpunim të përkohshëm me aleatët e lartë të Maduros, duke vënë në plan të parë ringjalljen e sektorit të naftës me ndihmën e kompanive amerikane, më shumë sesa lirimin e të burgosurve politikë apo organizimin e zgjedhjeve të reja.
Opozita venezueliane në pritje
Figura kryesore e opozitës, Maria Corina Machado, e cila u largua e maskuar për të marrë Çmimin Nobel për Paqen në tetor, ka shprehur dëshirën për t’u kthyer në Venezuelë, duke thënë se opozita do të fitonte lehtësisht në një votim të lirë. Ajo është treguar e kujdesshme të mos antagonizojë Trump-in, duke deklaruar se është në një linjë me vizionin e tij për ta kthyer Venezuelën në një aleate kyçe të SHBA-së dhe një qendër energjetike të Amerikave.
Aleati i saj, Edmundo González, i ndaluar të kandidonte në zgjedhjet e vitit 2024, sipas opozitës dhe vëzhguesve ndërkombëtarë fitoi bindshëm.
Ndërkohë, SHBA-ja ka paralajmëruar zyrtarët e lartë venezuelianë se duhet të bashkëpunojnë ose rrezikojnë të ndajnë fatin e Maduros. Nën vëzhgim të veçantë janë ministri i Brendshëm Diosdado Cabello dhe ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino, të dy nën akuza amerikane për trafik droge. Edhe Delcy Rodríguez mbetet nën sanksione amerikane, ndërsa asetet e saj jashtë vendit konsiderohen si mjet i mundshëm presioni. SHBA-ja po ushtron gjithashtu presion që qeveria e përkohshme venezueliane të dëbojë këshilltarët nga Kina, Rusia, Kuba dhe Irani.








