Në portin e Durrësit prej datës 1 tetor ka nisur zhdoganimi i mallrave që kanë destinacion Kosovën. Zhdoganimi i mallrave në portet e Durrësit i mundëson ekonomisë së Kosovës që praktikisht të ketë qasje në det, duke lehtësuar kështu depërtimin e bizneseve vendore në tregjet ndërkombëtare.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe homologu i saj i Kosovës Hekuran Murati, të shoqëruar nga Drejtorët e Doganave të të dyja shteteve, kanë vizituar sot zyrat e Doganës së Kosovës në portin e Durrësit.
Vizita është bërë me rastin e fillimit të zhdoganimit të plotë në portet e Durrësit për mallrat me destinacion Republikën e Kosovës.
Zhdoganimi i mallrave në portet e Durrësit i mundëson ekonomisë së Kosovës që praktikisht të ketë qasje në det, duke lehtësuar kështu depërtimin e bizneseve vendore në tregjet ndërkombëtare.
Ministrja Ibrahimaj e konsideroi këtë si një procedurë që lehtëson biznesin dhe redukton burokracitë pasi, që kur nisën zhdoganimet e para të mallrave, rreth 70 % e deklaratave janë proceduar në zyrën Doganore të Kosovës, gjë që tregon për interesin e biznesit për të kryer procedurat e zhdoganimit në portin e Durrësit.
“Sot është një ditë e rëndësishme kur bëhet më në fund operative dhe funksionon për të gjithë bizneset zhdoganimi në portin e Durrësit. Janë rreth 1040 kompani të Kosovës të cilat përdorin portin e Durrësit dhe këto kapacitete çdo vit për të zhdoganuar mallrat e tyre dhe nga sot jo vetëm që do të kenë lehtësirat për të cilat dy qeveritë kanë rënë dakord mes njëra-tjetrës, përsa i përket problematikave të peshimit apo të plumbçosjes, apo edhe të heqjes së tarifave që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për bizneset e Kosovës, por nga ana administrative dhe burokratike ka një lehtësi shumë më të madhe, e cila jo vetëm do të shkurtojë kohën dhe kostot e zhdoganimit”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.
Nga ana e tij, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, tha se hapja e Zyrës Doganore në portin e Durrësit është një arritje e jashtëzakonshme për ekonominë e Kosovës, kursen kohën dhe kostot për biznesin dhe i kursen rreth 2 milionë euro bizneseve që kryejnë tregti përmes portit të Durrësit.
“Marrë parasysh kohën që kursehet por edhe koston që arrinë diku në 2 milionë euro për biznese që bëjnë tregti konsiderojmë që kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Këtij procesi i shton vlerë edhe vendosja e kontrollit fito sanitar dhe veterinar përmes Agjencisë së Kosovës dhe Veterinës që janë vendosur këtu bashkë me Doganën e Kosovës”.
Murati thekosi se kjo ja mundëson Kosovës qasjen në det dhe ia lehtëson qasjen për në tregje globale eksportit që është në trend të rritjes së vazhdueshme.
“Operimi me pagesa dhe kosto minimale në terminalin që kemi hapur në Mitrovicë tashmë, në hapësirat e Trepçës, por edhe atij në Podujevë, si dhe me evitimin e tarifave për hyrjet në terminalet tjera për mallrat që vijnë përmes Portit të Durrësit, bizneseve po ju jetësohet kërkesa për t’i hequr shpenzimet e panevojshme në të bërit biznes.”
Ministrja Ibrahimaj, në anën e saj, tha se zhdoganimi i mallrave me destinim Kosovën në portin e Durrësit është vetëm hapi i radhës në marrëdhëniet tona tregtare, duke theksuar edhe njëherë angazhimin e Qeverisë Shqiptare në thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.
Dogana e Kosovës është vendosur në portin e Durresit që nga viti 2019, mirëpo deri më tani është bërë vetëm regjistrimi i hyrjeve për mallrat që kanë pasur destinim Republikën e Kosovës, pa pasur ndonjë ndikim në uljen e kostos apo kohës për biznese e konsumatorë.
Në mbledhjen e fundit në mes të dy Qeverive, të mbajtur në qershor të këtij viti, është nënshkruar marrëveshja për analizimin e bashkimit të mundshëm doganor, i cili shënon integrimin tregtar në mes të dy ekonomive.
Monitor.al