Me datë 19 janar ka ndodhur shembja e e banesave në zonën e “5 Majit” në kuadër të projektit të rindërtimit, proces i cili është shoqëruar me përplasje mes policisë dhe banorëve.
Banorët kanë bërë rezistencë, pasi sipas tyre shembja e banesave është kundër ligjit, duke theksuar se ato nuk kanë bërë asnjë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës sa i përket bonusit të qirave dhe se nuk dinë se ku të shkojnë. Familja Marku është një nga të prekurat nga shembja e shtëpive nga IKM T në lagjen “5 Maji” në Tiranë.
Madje edhe pse kanë ngelur vetëm gërmardhat e banesës tyre, ato nuk janë largur por kanë zgjedhur ta kalojnë natën mes tyre, ndërkohë që jemi në një situatë ku temperaturat janë pothuajse në ekstrem e Shqipëria tashëm këto ditë është “pre” e të ftohtit polar.
Banesa e tre katëshe e familjes Marku, ishte një nga shtëpitë e cila u shemb nga IKMT, pasi u prek nga projekti i bashkisë së Tiranës në zonën e 5 Majit për rindërtimin dhe për rizhvillimin e zonës. Megjithëse ka mbetur tashmë një gërmadhe, pronarët e saj ende nuk janë larguar dhe madje kanë kaluar natën jashtë në acar në temperaturat të ulëta. Nëna Liza Marku, 78-vjeçe, kthyer tashmë në simbol të rezistenës për mbrojtjen e banesës së saj dhe përballjen me forcat e policisë, është ngujuar në gërmadhat e banesës së saj. Teksa ka kaluar natën jashtë, dhe duke u ngrohur si në mesjetë, nëna Liza u shpreh për Report Tv se ditë më të vështira në jetën e saj nuk ka kaluar, ndërsa kërkon ndihmë për strehim.
“Ditë më të vështirë në jetën time nuk kam kaluar. Unë jam 78 vjeçe, mos të gjej ujë në çezmë të laj sytë, mos të gjej terr. Unë i kërkoj kryetarit të bashkisë që të më gjej strehim dhe të më bëjë kontratë të rregullt. Kam 25 vite që jetoj në këtë shtëpi, na kanë nxjerrë jashtë në pik të dimrit!”- është shprehu nëna Liza për Report Tv.
Ndërkohë aktualisht ato presin që bashkia të ndihmojë në strehimin e tyre. Kjo pasi ato ende nuk kanë aplikuar për bonusin e qirasë, pasi thonë se shuma 18 mijë lekë që u ofron bashkia është shumë e ulët për të mbuluar qiranë.
‘Nuk kemi aplikuar për bonus qiraje. Bonusi i qirasë është 18 mijë lekë. Ne jemi 3 familje. Bashkia të më çoj në një banesë ku nuk kam lidhje me qiraxhiun. Nga bashkia nuk ka ardhur askush, vetëm kur na nxorën jashtë verbalisht.’- u shpreh Mirash Marku.
Shembja e 7 banesave (nga 430 në total) që preken nga projekti i rindërtimit në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë u shoqërua me tensione mes banorëve dhe Policisë. Banorët bënë rezistencë, pasi sipas tyre shembja e banesave ishte kundër ligjit, duke theksuar se ato nuk kanë bërë asnjë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës sa i përket bonusit të qirave dhe se nuk dinë se ku të shkojnë.
Ndërkohë që shumica e banorëve janë prekur nga projekti i lagjes së re te “5 Maji” janë dakordësuar dhe kanë filluar nënshkrimin e marrëveshjeve me Bashkinë e Tiranës për t’u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit.