Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Ajola Xoxën, bashkëshorten e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës është arrestuar sot në ambientet e Bashkisë së Tiranës.
Zyrtarët e SPAK dhe BKH-së zbarkuan në Bashkinë e Tiranës dhe realizuan arrestimin e Veliajt.
Mëngjesin e 6 dhjetorit, me urdhër të Gjykatës së Posaçme, oficerët e policisë gjyqësore kryen kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së Veliajt, duke sekuestruar edhe telefonin celular.
Po ashtu, kontrollohej edhe banesa e vëllait të kryebashkiakut. Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë detaje, por ka njoftuar se janë kryer “veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal”.
Hetimi ndaj Veliajt përfshin një hetim pasuror dhe po shqyrtohet edhe roli i tij në rastin e inceneratorëve të Tiranës dhe në çështjen e kompanisë “5D”, që dikur u zotërua nga ish-drejtorë të Bashkisë. Veliaj ka reaguar duke deklaruar se mbështet në çdo hap veprimet e Prokurorisë.