Një ngjarje e rëndë dhe thellësisht shqetësuese ka tronditur prindërit dhe opinionin publik në Tiranë, pasi në shkollën 9 vjeçare Gustav Majer është zbuluar se një mësues i anglishtes ka predikuar fenë e Jehovait brenda orëve të mësimit, duke përfshirë fëmijë të arsimit bazë në praktika dhe mesazhe fetare.
Shkolla është institucion laik dhe nuk duhet të promovojë fe të caktuara apo të mësojë doktrina fetare, por sipas dëshmive të prindërve dhe nxënësve, mësuesi e kishte kthyer orën e anglishtes në një hapësirë predikimi. Prindërit e klasës së katërt ngritën alarmin në drejtorinë e shkollës në fillim të javës, pasi fëmijët u kthyen në shtëpi me detyra dhe mesazhe që nuk kishin asnjë lidhje me programin mësimor.
Sipas tyre, nxënësve u shfaqeshin video për dashurinë hyjnore ndaj Zotit dhe u jepeshin detyra në fletore që lidhen drejtpërdrejt me urdhërimet e Perëndisë. Situata ka marrë përmasa alarmante kur fëmijët kanë filluar të tregojnë se gjatë orëve të mësimit flitej për fundin e botës dhe ringjalljen pas vdekjes.
“5 orë mësim për Zotin. Thoshte fjalët e Zotit për fundin e botës. Na vendoste vetëm 10 për Zotin”, shprehet një nga nxënësit, në një dëshmi që ka tronditur prindërit dhe stafin drejtues.
Reagimi i prindërve ka qenë i ashpër dhe i mbushur me revoltë.
“Ka ndodhur një gjë e paparë, a ka më turp dynjaja, t’i thuash fëmijës ‘vdis sot, se do ngjallesh nesër?!’ Ti jashtë, në mbasdite, ki besimin tënd, po në shkollë jo. Gabim që nuk falet!”, thonë prindërit, duke e cilësuar rastin si indoktrinim të pastër të fëmijëve brenda ambienteve shkollore.
Dëshmitë e fëmijëve dhe prindërve janë përshkruar si tronditëse, pasi rrëfimet tregojnë se përpjekjet për indoktrinimin fetar nuk kanë qenë sporadike, por të vazhdueshme dhe të organizuara. Bindjet personale të mësuesit janë bërë pjesë e drejtpërdrejtë e procesit mësimor, duke shkelur rëndë ligjin dhe rregulloren që dikton arsimin laik.
Mësuesi i anglishtes shfrytëzonte orën e mësimit për të diskutuar tema fetare. Ndonëse shquhej si mësues i përgatitur në njohuritë e lëndës, kishte prindër që nuk kishin dijeni mbi rastin ose që shpreheshin të kënaqur me rezultatet e notave.
“Unë 5 vite e kam vajzën që bën anglisht dhe s’kam pasur shqetësim”, thotë një nga prindërit.
Pas verifikimeve nga komisioni i disiplinës dhe analizimit të provave, drejtuesit e institucionit arsimor dhe autoritetet rajonale vendosën masën e pushimit nga puna të mësuesit, duke e konsideruar rastin shkelje të rëndë të ligjit dhe rregullores.
Në fletoret e nxënësve të klasave të katërta janë gjetur edhe detyra shtëpie me përmbajtje fetare, ku shkruhej saktësisht: “Dy Urdhërimet më të Mëdha
Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.
Duaje fqinjin tënd si veten tënde”.
Ky rast ka ngritur alarmin për mbrojtjen e fëmijëve në institucionet arsimore publike dhe ka rihapur debatin mbi domosdoshmërinë e respektimit strikt të arsimit laik, duke nxjerrë në pah rrezikun e përzierjes së bindjeve personale fetare me edukimin e fëmijëve.







