Para katër ditësh një fëmijë i moshës 3-vjeçare ka humbur jetën në një kopësht privat në qytetin e Fierit. I mituri u dërgua në spital pa shenja jete.
Gjatë dëshmisë në polici, edukatorja ka thënë se fëmija ka mbetur i varur tek varësja e rrobave. Burime nga policia thanë se “3-vjeçari ka tentuar të marrë çantën dhe i ka ngecur kapuçi i xhupit në varëse e për pasojë është mbytur. Dje është arrestuar edukatorja e kopshtit,, 27-vjeçarja, Redina Binjaku, e cila akuzohet për shkelje e rregullave te mbrojtjes ne pune.
Ndërkohë që ditën e sotme gjykata e Fierit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg për 30 ditë” për edukatoren Redina Binjaku, e arrestuar pas vdekjes së fëmijës 3-vjeçar në kopshtin privat ku ajo punonte.
Gjykata ka vendosur shoqërimin e saj në dhomat e paraburgimit të IEVP në Fier. Në vendim thuhet se Binjaku ka të drejtën e ankimimit të vendimit në Apelin e Vlorës brenda 5 ditëve që nesër.
Kujtojmë që familjarit e 3-vjeçarit të ndjerë, janë mbledhur dje përpara prokurorisë duke kërkuar drejtësi.
Nëna e djalit Donalda Kodheli tha mes lotësh se edukatorja e ka marrë të parën në telefon dhe i ka thënë që djali është në gjendje të mirë, por se në spital i kanë thënë se djali ka shkuar i pajetë.
“Edukatorja më ka gënjyer, më ka marrë mua të parën në telefon më tha është mbytur me litar të bluzës, është në gjendje të mirë dhe është përmendur. Në momentin që shkova në spital, më thanë është futur në sallë të operimit, pastaj doktori më tha fëmija ka ardhur pa jetë këtu. Na thanë ka kamera sigurie, por kur shkuam nuk kishte. Djali 15 kg nuk ka mundësi të mbytej nga varësja. Kërkoj drejtësi për shpirtin e Noas tim”, tha nëna mes lotësh.