Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka denoncuar situatën e rëndë që po përjeton qyteti i Durrësit pas përmbytjeve të përsëritura, duke i cilësuar ato si pasojë direkte të keqmenaxhimit dhe korrupsionit në Bashkinë Durrës.

Në një deklaratë publike, Vangjeli akuzon kryebashkiaken Emirjana Sako dhe Shoqërinë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës për dështim të plotë në mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimeve, ndërsa paralelisht, sipas saj, fondet publike shpërndahen përmes tenderëve klientelistë te kompani të lidhura me familjarë të pushtetit vendor.
Sipas Partisë Demokratike, qytetarët e Durrësit po përballen me dëme të rënda dhe përmbytje të vazhdueshme pas çdo reshjeje shiu, ndërkohë që askush nuk mban përgjegjësi dhe korrupsioni thellohet.
Në deklaratën e saj, Genta Vangjeli thekson se mjaftojnë pak ditë me shi që Durrësi të shndërrohet në kënetë, me ujë në oborre dhe brenda banesave, ndërsa rrugët e lagjeve kthehen në lumenj ku lëvizja bëhet e pamundur. Ajo nënvizon se kjo situatë nuk është fenomen natyror apo fatkeqësi, por rezultat i drejtpërdrejtë i keqmenaxhimit, papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit në Bashkinë Durrës.
Vangjeli kujton se prej kohësh qytetarët kanë denoncuar Bashkinë Durrës dhe Shoqërinë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës, tashmë nën drejtimin e Olsen Kavalli, për dështimin në mirëmbajtjen e kanalizimeve. Sipas saj, përmbytjet përsëriten, dëmet rriten dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Sipas denoncimit, ndërsa qytetarët përballen me pasojat dramatike të përmbytjeve, Ujësjellës Kanalizime Durrës vijon me tendera të dyshimtë dhe klientelistë. Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a., ku Bashkia Durrës është një nga pronaret kryesore, këtë javë ka shpallur fituese në një procedurë prokurimi kompaninë “Mektrin Motors” sh.p.k., e cila sipas PD-së është e lidhur drejtpërdrejt me familjen e kryebashkiakes.
Vangjeli deklaron se kompania në fjalë është krijuar nga bashkëshorti dhe vjehrri i Emirjana Sakos dhe aktualisht rezulton në pronësi të kunatit të saj. Skandali, sipas saj, thellohet nga fakti se në këtë tender është paraqitur vetëm një ofertë e vetme, ndonëse në treg ekzistojnë qindra subjekte që ofrojnë shërbime riparimi automjetesh.
Vlera fituese e kontratës arrin gati 98 për qind të fondit limit, ose rreth 11.6 milionë lekë. Me këtë kontratë 12 mujore, qytetarët e Durrësit, sipas PD-së, detyrohen të paguajnë rreth 10 mijë euro në muaj për një kompani të lidhur me familjen e kryetares së bashkisë.
Sipas deklaratës, këto fonde mund të ishin përdorur për përmirësimin e kanalizimeve, për ndihmën e familjeve të përmbytura dhe për parandalimin e katastrofave të përsëritura, por përfundojnë në xhepat e familjarëve të pushtetit.
Në përfundim, Genta Vangjeli thekson se heshtja përballë këtij skandali përbën bashkëfajësi, duke kërkuar që Emirjana Sako të mbajë përgjegjësi politike dhe të japë dorëheqjen. Ajo i bën thirrje edhe organeve të drejtësisë që të veprojnë pa vonesë për të hetuar dhe ndëshkuar çdo shkelje të ligjit.
Sipas saj, Durrësi nuk mbytet nga shiu, por nga korrupsioni.








