Lufta Rusi-Ukrainë po rrezikon jetën e shumë civilëvë, dhe pavarësisht se Minsitria e Jashtme kërkoi në mesin e muajit shkurt largimin e të gjithë shqiptarëve nga Ukraina, njëri prej tyre vijon të jetë atje. Gazetari Top Channel Muhamed Veliu mundi ta intervistojë, dhe për arsye sigurie me kërkesë të tij, nuk do ta publikojë emrin.
Një shqiptar që jeton në Ukrainë ka kërkuar ndihmë për të dalë nga territori i vendit është po sulmohet nga Rusia. Por ka një problem sepse e bija i ka mbetur në Kiev.
Intervista e plotë e realizuar nga gazetari i “Top Channel” Muhamed Veliu:
Muhamed Veliu: Ku ndodheni tani?
Shqiptari Ukrainë: Unë momentalisht ndodhem në qytetin e KamecPodolski në zonën qendrore të Ukrainës. Jam rreth 250 kilometra larg Kievit dhe rreth 400 kilometra larg kufirit me Rumaninë.
Muhamed Veliu: Si është situata atje?
Shqiptari Ukrainë: Në këtë zonë është e qetë nuk ka lëvizje. Në një zonë përpara rreth 100 kilometrash nga ku jam duke folur, në çdo cep kishte njerëz të armatosur pra popullsi e armatosur. Kontrollonin dhe verifikonin çdo njeri që ishte atje.
Muhamed Veliu: Ju përse keni qëndruar në Ukrainë?
Shqiptari në Ukrainë: Unë kam qëndruar në Ukrainë sepse vajza ime e madhe jeton në Kiev dhe kam shkuar ta evakuoj. Nuk kam arritur dot të hy në Kiev për arsye se nuk të lejnë forcat ukrainase. Pjesa jugore e Kievit është e rrethuar nga forcat ruse. Falë zotit falënderoj miqtë e mi atje të cilët e kanë evakuuar vajzën në një vend të sigurt dhe për momentin është në një vend ku nuk ka rrezik.
Muhamed Veliu: A keni folur me vajzën, si është duke e përjetuar ajo të gjithë këtë situatë lufte në Kiev?
Shqiptari në Ukrainë: Luftën në dy ditët e para nuk e ka përjetuar mirë. Ndërsa tani është qetësuar. Kuptohet që dy ditët e para nga që jetonte në një apartament në qendër të Kievit shumë afër parlamentit dhe presidencës. Dy zona që sot për sot ruhen më së shumti nga forcat ukrainase. Goditjet më ka thënë vajza i ka dëgjuar gjatë të gjithë kohës, nuk e ka përjetuar mirë. Gjithsesi tani është e qetë pasi është në vend shumë të sigurt dhe besoj nuk do të ketë më probleme.
Muhamed Veliu: A besoni se do të mundeni me sukses ta evakuoni vajzën tuaj nga Ukraina?
Shqiptari në Ukrainë: Po. Besoj se po. Besoj se situata nga sot mund të qetësohet pasi këtë e shikoj edhe tek njerëzit që flas dhe komunikoj, kjo ngaqë sot kanë nisur bisedimet midis dy shteteve Ukrainë-Rusi. Sikur po ndjehen pak më të qetë veten.
Kujtojmë që presidenti Ilir Meta ka shkuar sot për një takim zyrtar në ambasadën ukrainase në Tiranë, duke marrë shkas nga situata në Ukraine, ku Rusia prej 5 ditësh po lufton.
Theksojmë se në qëndrimet e tij Meta ka dënuar sulmet në Ukrainë, ndërsa është solidarizuar me dhimbjen e popullit ukrainas.
Presidenti Ilir Meta foli për luftën në Ukrainë, pas takimit me ambasadorin e Ukrainës në vendin tonë, duke thënë se qëndrimi i Shqipërisë është e do të jetë i qartë, në linjë të plotë me atë të BE e NATO.
Presidenti Meta tha se Rusia dhe Ukraina duhet të ndalojnë luftën e të gjejnë zgjidhje të situatës përmes dialogut, ndërsa shtoi se shpreson që kjo situatë agresioni të tejkalohet sa më parë.