Forcat speciale të Ukrainës kanë ndërmarrë një operacion goditës në thellësi të territorit rus, duke shkatërruar dy avionë bombardues në një bazë ajrore në rajonin e Volgogradit.
Sipas Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, objektivi i sulmit ishte aeroporti ushtarak në Marinovka, ku u përdorën dronë me rreze të gjatë veprimi.
Përveç dy avionëve të shkatërruar, dy mjete të tjera të tipit Su-34 kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme. Goditja shkaktoi gjithashtu një zjarr në infrastrukturën teknike të bazës, ku kryhen riparimet dhe mirëmbajtja e avionëve ushtarakë.
“Së bashku me partnerët tanë në front, po vijojmë punën për të dobësuar aftësitë ajrore të ushtrisë ruse,” u shpreh SBU pas operacionit.
Nga ana tjetër, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës theksoi rëndësinë e kësaj goditjeje, duke theksuar se Su-34-at përbëjnë mjetet kryesore që Moska përdor për sulme me raketa dhe bomba mbi pozicionet dhe qytetet ukrainase.
Ata cilësohen si avionë bombardues të vijës së parë në Forcat Ajrore të Rusisë, të pajisur për lëshimin e bombave të drejtuara me module rrëshqitëse dhe korrigjuese.