Policia e shtetit ka reaguar duke dhënë informacionin zyrtar mbi plagosjen e Ardian Narkajt nga RENEA gjatë operacionit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Shkodër.
Policia thotë se pas informacioneve të marra mbi vendndodhjen, organizuan operacionin për kapjen e tij në një zonë malore të Kastratit në vendin e quajtur “Gropat e Vrinit” Bratosh, Malësi e Madhe. Forcat speciale RENEA kanë rrethuar stanin e bagëtive ku fshihej dhe i kanë bërë thirrje për t’u dorëzuar.
Por sipas policisë, Ardian Narkaj nuk i është bindur urdhrit të policisë, por ka tentuar të largohet duke përfituar nga terreni i vështirë malor. “Forcat speciale RENEA kanë marrë masa për sigurinë e jetës së tyre, pasi kanë konstatuar se ishte i armatosur. Ata i kanë bërë disa herë thirrje për tu dorëzuar.
Ardian Narkaj nuk i është bindur urdhrit përsëritës të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka tentuar të largohet. Forcat RENEA, për ta neutralizuar e kanë plagosur atë” deklaron policia e shtetit.
52-vjeçarit i është dhënë ndihma e parë nga RENEA dhe më pas është transportuar në Spitalin e Traumës, sipas tyre në gjendje të stabilizuar. Në cilësinë e provës materiale në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë me fishekë në fole gati për qitje.
Ardian Narkaj ishte në kërkim, i dënuar me 21 vite burgim për vrasje të dyfishtë dhe armëmbajtje pa leje. Ai është autori i një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2008 në fshatin Bratosh, Malësi e Madhe. Gjykata e Apelit Shkodër, në vitin 2016, e ka dënuar me 21 vite burg për veprat penale “Vrasja rrethana cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit.