Spiro Iljadhi, pronari i klubit “Orange”, që mbeti dje i plagosur në një attentat në Sarandë, është ndaluar ditën e sotme nga policia. Arsyeja e ndalimit të tij është sepse ai ka qëlluar më armë zjarri gjatë konfliktit. Akuzat që rëndojnë ndaj tij janë “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Njoftimi i policisë:
Sarandë
Ndalohet pronari i lokalit, i cili mbeti i plagosur me armë zjarri gjatë një konflikti me disa persona të tjerë.
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në lagjen Nr. 1, Sarandë, ku mbetën të plagosur me armë zjarri shtetasit S. I. dhe M. J., nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë ndalimi i shtetasit S. I., 35 vjeç, banues në Sarandë.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë ndaj personave të tjerë të përfshirë në konflikt, njeri prej tyre i ndaluar dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim nga Policia.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Spiro Iljadhi u qëllua me breshëri plumbash pas një sherri që ndodhi në klubin e tij, “Orange”. Autorët qëlluan në drejtim të tij rreth 20 plumba, rreth prës 03:50. Policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorët. Ata janë dy vëllezërit Andrea dhe Visi Caushi, si dhe Redjan Hadëraj. Po ashtu mbeti i plagosur një kalimtar i rastit.