Drejtorit të Sigurimeve Shoqërore në Krujë dhe ish-drejtor i Aluiznit, Alfred Vogës, i është vënë tritol në banesë rreth orës 23:25 natën e kaluar. Lënda plasëse nuk ka shpërthyer, ndërsa ka qenë vetë Voga që ka njoftuar policinë pasi ka konstatuar pakon në oborr. Ende nuk dihen rrethana të tjera për ngjarjen, ndërsa po policia po heton për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Njoftimi i Policisë:
“Më datë 11.07.2021, rreth orës 23:25, në fshatin Halil, Fushë Krujë, në ambientin e jashtëm të banesës, shtetasi A.V., ka konstatuar një pako të vogël ku brenda saj kishte lëndë të dyshuar plasëse. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punohet për sqarimin dhe dokumentin e rrethanave të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e autorit”, shkruhej në njoftim.
Alfred Voga, drejtori i Sigurimeve Shoqërore në Krujë, të cilit iu vu tritol në oborrin e shtëpisë, ka dyshime se ngjarja lidhet me detyrën e tij.
Për “Report Tv”, Voga ka treguar se nuk ka konflikt me njeri, ndërsa tregon se ai dhe familja janë të tronditur nga ngjarja. Voga i ka bërë thirrje autoriteteve të kapet autori dhe të vendoset para drejtësisë.
“Sapo isha kthyer nga plazhi kur konstatova një pako te dyshimte ne oborr. Menjëherë njoftova policinë e cila erdhi në kohë rekord dhe bëri çaktivizimin e lëndës plasëse. Pres që autori apo autoret të vihen para drejtësisë pasi familja ime është mjaft e tronditur nga kjo ngjarje“, ka thënë drejtori i Sigurimeve Shoqërore.