Rreth 2 javë më parë drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, u infektua nga COVID-19, teksa ishte në krye të detyrës.
Duke qenë qenë se ai ishte në gjendje të qëndrushme, u vetëkarantinua në shtëpi dhe ditën e sotme njoftoi se është në gjendje të mirë shëndetësore.
Me anë të një postimi në Facebook, Brataj shprehet se është gati për të rifilluar punën, por më parë është në pritje të testit, për të konfirmuar se e ka fituar luftën me koronavirusin.
“Përshëndetje,
Një falenderim të gjithë JUVE, që asnjëherë nuk më keni lënë vetëm në këto ditë të sëmundjes, izolimit dhe karantinës. E di që nuk kam mundur t’ju përgjigjem dot të gjitha mesazheve tuaja sepse janë të shumta, prandaj ju falenderoj dhe ju vë në dijeni se gjendja ime shëndetësore është më e mirë dhe shpresoj të jetë negative prova e tamponit.
Unë mendoj se ja dola falë mbështetjes tuaj, terapisë, dëshirës dhe vullnetit që kam për ta mposhtur COVID-19.
GATI, për të rifilluar përsëri betejën me këtë armik të padukshëm, por që tani e njohim më shumë se një muaj më parë, kur u paraqit para nesh.
Nëse ka pasur shprehje që nuk e kam duruar që kur jam kthyer, është shprehja e famshme: NUK BËHET, pa e ditur për çfarë problemi flitet, për çfarë pune, pa e pasur idenë ose kompetencat profesionale!
Duke ju përveshur punës, ne krijuam një shërbim të pazëvendësueshëm, siç është ai i urgjencës, të cilin shumë prej jush e kanë provuar në këto tre vitet e fundit.
NUK KA GJË QË NUK BËHET, luftë që nuk fitohet, por duhet shumë shumë punë, shumë shumë durim, shumë shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim nga të gjithë.
Dr. Skënder Brataj”.
Në vendin tonë deri tani kanë ndërruar jetë 17 persona si pasojë e koronavirusi dhe janë infektuar 304 të tjerë, 73 prej të cilëve ndodhen në Spitalin Infektiv.