Mbrëmjen e djeshme kryeqyteti u trondit nga ekzekutimi mafioz me një armë MP5 me silenciator i Hekuran Billës te Komuna e Parisit.
Ajo që tërhoqi vëmendjen e mediave, dhe jo vetëm, ishte fakti se 40-vjeçari rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm, por që çuditërisht shëtiste i lirë dhe me BMWX6, madje ishte bërë edhe biznesmen.
Billa ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj 22 vjeçarit Prel Marku dhe plagosjen e rëndë të Musa Rrahmanit dhe një personi tjetër, ngjarje të ndodhura në Londër më 14 tetor 2006 dhe në vitin 2008.
Hekuran Billa ishte arrestuar në Angli një vit pas vrasjes në datën 15 nëntor 2007 dhe në 14 tetor 2008 Gjykata e Snaresbook Angli, e ka shpallur fajtor duke e dënuar me burgim të përjetshëm për tre vepra penale.
Pas deportimit të tij në Shqipëri, më 13 maj 2014 gjyqtari i Tiranës Altin Abdiu ka vendosur të pranojë njohjen e vendimit anglez duke e njëhsuar burgimin e përjetshëm në Shqipëri, mirëpo ky vendim në korrik të 2016 është rrëzuar në Apel nga treshja e gjyqtarëve Fatmira Hajdari, Lefter Jahja dhe Shkëlqim Mustafa, duke e dënuar Hekuran Billan përfundimisht me 25 vite burgim.
Pas këtij vendimi Billa është trasferuar në ambientet e burgut të Fushë-Krujës, ku nga ky burg ka filluar të depozitojë kërkesat për lirim nga qelia.
Kërkesa e parë për ulje dënimi me 90 ditë në gjykatën e Krujës është pranuar nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, e cila në 25 maj 2017, ka vendosur uljen e dënimit për Billën dhe po në këtë ditë ajo ka marrë në shqyrtim një kërkesë të dytë të depozituar nga Hekuran Billa, duke vendosur uljen e dënimit me 24 muaj burgim.
Në 14 shkurt 2018 gjyqtarja Enkelejda Hoxha, ka vendosur t’i njohë Hekuran Billës periudhën e paraburgimit nga data 15 nëntor 2007 në Angli deri në datën 20 korrik 2016, ku vendimi për dënimin e tij me 25 vite burgim ka marrë formë të prerë në Apel.
Kështu, Hoxha i ka ulur dënimin në masën e 9 viteve, duke argumentuar se Billa ka qëndruar në periudhë paraburgimi.
Pa kaluar shumë muaj nga ky vendim, në 21 nëntor 2018 gjyqtarja Enkelejda Hoxha, ka vendosur t’i njohë amnistinë e vitit 2016, duke i ulur dënimin në 1 vit burgim dhe në janar 2019 Hekuran Billa sërish ka përfituar një ulje dënimi me 90 ditë, ku sërish ka qenë gjyqtarja Enkelejda Hoxha.
Nëpërmjet avokatit të tij, Aldo Tabaku, në datën 22 shkurt 2019, Billa ka fituar prej Enkelejda Hoxhës, lirimin me kusht e cila i ka falur 5 vjet e 2 muaj e 11 ditë burgim.
Për gati 1 vit e gjysëm Billa, ka qëndruar i lirë në rrugët e Tiranës ku në letra figuronte i punësuar si postier pranë studios ligjore Duka në Tiranë, teksa në fillim të këtij viti kishte hapur dhe një biznes në Tiranë për dhënien e makinave me qira.
Por cilat ishin argumentet që paraqiti Billa në kërkesën për lirimin nga burgu?
Tre vite pasi ishte transferuar në burgun e Fushë Krujës ai bëri kërkesën për lirim.
Gjykata thekson në vendim se kërkesa për lirimin me kusht është pranuar, pasi Billa kishte prindërit të moshuar, të pamundur ekonomikisht dhe jo në gjendje të mirë shëndetësore, raporton Report Tv.
“Hekuran Billa ka arsye të veçanta që përligjin kërkesën e tij për lirimin me kusht, që janë gjendja familjare ku konkretisht është në përbërje familjare me dy prindërit, gjendja shëndetësore e tyre paraqitet me probleme të shëndetit, të dokumentuara. Gjithashtu arsye tjetër është gjendja ekonomike e vështirë, pasi të vetmet të ardhura janë pensioni i prindërve të tij, i cili është i pamjaftueshëm për ilaçet e tyre, ndaj ai ka paraqitur edhe një kontratë punësimi” thuhet në vendim.
Por, kush është gjyqtarja që i fali lirinë Hekuran Billës?
Emri i gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha tashmë lidhet me lirimin nga burgu të disa të dënuarve, përmes vendimeve të dyshimta, para se ajo të përballej me Vetingun.
Ajo u bë e njohur pasi në mes të muajit janar 2020, pranoi kërkesën e ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle duke i shuar dënimin përjetë dhe dënuar përfundimisht me 25 vite.
Por, meqenëse Dokle kishte kryer 3/4 e kësaj mase të re dënimi, gjyqtarja Hoxha e liroi nga qelia me kusht, pas 16 viteve në qeli.
Për të argumentuar lirimin, gjyqtarja thekson në vendim se Dokle ka sjellje shumë të mirë, është penduar për vrasjet që ka bërë, vuan nga depresioni dhe se ka të atin sëmurë.
Ky vendim i saj shkaktoi bujë të madhe, teksa ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj e ka paditur në ILD.
Megjithatë, historia e saj me lirimin e të dënurave me burgim të përjetshëm rezulton e vjetër, pasi më 7 nëntor të vitit 2017, liroi nga burgu Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë, Arben Zylyftari, në vitin 2000, në Shkodër.
Po në nëntor të 2017 Hoxha liroi edhe Ilir Pajën nga burgu, të njohur me nofkën ‘UFO’ nga drejtësia italiane, pasi ishte arratisur tre herë dhe po në të njëjtin muaj, Hoxha i njohu vjetërsinë e punës një gruaje nga fshati Bilaj i Krujës, Marjana Prenuca, që në moshën 5-vjeçare për efekt pensioni.
Po ashtu, disa ditë më parë ajo u akuzua nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, që ka bërë ankesë në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, për moskompetencë dhe ushtrim aspak profesional të autoritetit të ligjit.
Kjo pasi me vendimin e saj, Gjykata e Krujës ka vendosur të bllokojë aktvitetet tregtare në aeroport.
Ky vendim për bllokim vjen si një goditje e rëndë për biznesin në një kohë post pandemie, kur sot më shumë se kurrë duhet të ketë një zhillim të aktivitetit ekonomik.
Por, ndërsa e Enkelejda Hoxha vijon të marrë vendime, dyshime të forta shfaqen rreth pasurisë së saj.
Formularët vjetorë të pasurisë së gjyqtares së shumëdebatuar pothuajse janë bosh dhe nga viti 2003, kur ka deklaruar pasurinë për herë të parë deri në vitin 2018, kur ka dorëzuar deklaratën e fundit, gjyqtarja Enkelejda Hoxha deklaron vetëm pagën.
Deklarata e parë e pasurisë e vitit 2003 përmban vetëm një shënim, të ardhura nga paga.
Gjyqtarja nuk deklaron asnjë banesë ku mund të jetonte në atë kohë, qoftë në emër të prindërve apo që mund ta kishte marrë me qira.
Sipas kësaj deklarate, gjyqtarja nuk dihet se ku ka jetuar dhe as ku jeton sot.
Në vitin 2004, gjyqtarja Hoxha deklaron 784 392 lekë nga paga, 1 000 000 lekë qira të dyqanit të mamasë dhe 165 000 lekë pension të paspecifikuar.
Në 2005 deklaron 500 000 lekë kursime dhe pagën dhe në 2006 deklaron 5 mijë euro cash, pagën si gjyqtare dhe detyrim ushqimor për fëmijën e saj, në vlerën 120 000 lekë.
Në vitet 2007, 2008, 2009 dhe 2010 deklaratat janë të njëjta si në vitin 2006. Në vitin 2011, deklaron pagën dhe pagesë për fëmijën, por tashmë të specifikuar nga babai i fëmijës, Rasim Doda, në shumën 120 000 lekë për një vit.
Në vitet 2012 dhe 2013 deklaron vetëm pagën, as kursime dhe asgjë tjetër. Në 2014, deklaron sërish kontribut për fëmijën nga Doda si dhe 216 000 lekë të ardhura invaliditeti për fëmijën. Në 2015 deklaron vetëm pagën dhe të ardhura invaliditeti për fëmijën. Në 2016, deklarata është si e vitit 2015, por vetëm shtohet kontributi i Dodës për fëmijën. Në vitit 2017 dhe 2018 nuk ndryshon asgjë.
Mbetet mister se në çfarë banese jeton gjyqtarja Hoxha, kur në të gjitha deklaratat e pasurisë nuk ka deklaruar asgjë, përveç pagës.