Një shqiptar u gjet i pajetë ditën e djeshme brenda një makine në Itali.
Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për 27-vjeçarin Serxho Veizi.
Trupi i pajetë i shqiptarit u pikas nga kalimtarë të rastit brenda një automjeti “Volkswagen Polo” gri, të parkuar në rrugën që lidh Ugenton me Casaranon.
Sedilja ku ndodhej trupi i shqiptarit ishte e mbuluar në gjak, ndërsa pranë tij ndodhej edhe arma me të cilën dyshohet se është bërë qitja, shkruan “Top Channel”.
Hetuesit ndërkohë nuk kanë përcaktuar ende nëse ngjarja në fjalë është vrasje apo vetëvrasje.
Ata janë duke kërkuar për prova, për të vërtetuar nëse 27-vjeçari që banonte në një provincë të Barit, donte t’i jepte fund jetës.
Trupi i pjetë i shqiptarit ndodhet në morg dhe pritet që t’i nënshtrohet analizave mjeko-ligjore.
Mediat italiane kanë zbuluar se shqiptari ishte një person me precedentë penalë, në lidhje me tregtimin dhe shpërndarjen e drogës.