Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Dashnor Dumanin, vëllain e Nuredin Dumanit, i cili u ekstradua së fundmi nga Dubai.
Ai akuzohet nga SPAK për përfshirje në masakrën e Bradasheshit në vitin 2018, ku mbetën të vrarë Indrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk, si dhe për pjesëmarrje në grabitjen e bujshme në aeroportin e Rinasit.
Në të njëjtën seancë, GJKKO ka ndryshuar masën e sigurisë për Armis Stafën, duke e zbutur nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”. Stafa, i arrestuar gjithashtu në Dubai dhe i ekstraduar në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë 2”, akuzohet për pastrim parash në shërbim të grupit kriminal të vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja.
Kush është Dashnor Dumani?
I njohur në botën e krimit me nofkën “Dashi”, Dashnor Dumani ka një të kaluar kriminale që daton të paktën që prej vitit 2010, kur u skedua për vjedhje në Durrës. Në vitin 2015, ai u ndalua së bashku me pesë persona të tjerë, gjithashtu në Durrës, pasi iu gjet një sasi e konsiderueshme tritoli, që dyshohej se do përdorej për një atentat me pagesë.
Në Francë, Dumani ka qenë i dënuar për shfrytëzim prostitucioni. Pas kthimit në Shqipëri, ai shtriu ndikimin e tij kriminal në Elbasan, ku lidhi kontakte me Talo Çelën dhe përfshihet në disa ngjarje të rënda kriminale, mes tyre edhe grabitja në Rinas, për të cilën, sipas dëshmisë së vëllait të tij, Nuredin Dumanit, kanë marrë pjesë emra të njohur të botës së krimit si Talo Çela, Altin Ndoci, vëllezërit Çala, Admir Murataj, Dashnor Dumani dhe Dorian Shkoza.
SPAK e konsideron Dashnor Dumanin pjesë të masakrës së Bradasheshit në vitin 2018, ku u ekzekutuan tre të afërm të Erion Alibejt, një tjetër i penduar i drejtësisë.
Nga përgjimet në aplikacionin “Sky ECC” rezulton se vetë Dumani i ka pranuar vëllait përfshirjen e tij në atentatin ndaj familjarëve të Alibejt, i cili kishte nisur një hakmarrje kundër Talo Çelës.
Ndërkohë, hetimet nxjerrin se dy vëllezërit Dumani kishin marrë pozicione të ndryshme në krim: Nuredini i ishte bashkuar planit të Alibejt për të eliminuar Talo Çelën, ndërsa Dashnori, përmes lidhjes me Çopjat dhe vetë Çelën, vepronte në kampin kundërshtar.