Përkundër rritjes së interesit turistik, fshati malor i Lëpushës në skajin më verior të Shqipërisë po përballet me shpopullim të qëndrueshëm.
Me vetëm një nxënëse në shkollë, pa qendër shëndetësore funksionale dhe me probleme të infrastrukturës e pronësisë, fshati alpin i Lëpushës po zbrazet nga banorët vit pas viti.
Kryeministri Edi Rama, i njohur për promovimin në rrjetet sociale të destinacioneve turistike shqiptare, publikon rregullisht foto nga ky fshat. “Lëpusha si zemër”, shkroi ai në janar të këtij viti në Facebook, përbri imazheve të fëmijëve që luanin në dëborë. Por pas këtyre pamjeve idilike, realiteti për banorët është i zymtë: fshati po zbrazet.
Pavarësisht interesit të shtuar turistik, banorët po largohen njëri pas tjetrit. Ata që kanë zgjedhur të qëndrojnë përballen me mungesë shërbimesh bazë, izolim të thellë dhe pengesa të vazhdueshme për të zhvilluar jetesën.
“Këtu ka 500 problematika, nuk ka drita, nuk ka ujë të qëndrueshëm, njerëzit kanë ik masivisht,” thotë Tonin Shkoza, 55 vjeç. “S’ka rrugë, s’ka qendër shëndetësore, nuk ka asgjë.”
Zgjedhjet e fundit pasqyrojnë këtë shpopullim gradual: nga 141 votues në vitin 2021, numri ra në 122 në 2023 dhe më tej në vetëm 100 në maj 2025. Por shifra më domethënëse është ajo e nxënësve.
“Në fshatin Lëpushë funksionon një shkollë 9-vjeçare, në të cilën aktualisht është i regjistruar vetëm një nxënës,” deklaroi Bashkia e Malësisë së Madhe në një përgjigje me shkrim për BIRN.
Pa nxënës dhe mjekë
Suela, 10 vjeçe, është e vetmja nxënëse në shkollën 9-vjeçare të fshatit. Çdo ditë ndjek mësimin e vetme dhe ecën në këmbë për të shkuar në shkollë, rrugë që gjatë dimrit është e mbuluar nga dëbora.
“Ka borë deri në gju, vonohem dy orë vetëm për të shkuar e ardhur,” thotë Suela, që ëndërron të bëhet mjeke për të ndihmuar bashkëfshatarët e saj.
Ironikisht, në Lëpushë nuk ka mjek. Qendra më e afërt shëndetësore ndodhet në Tamarë, 24 kilometra larg. E vetmja që kujdeset për shëndetin e banorëve është infermierja Xhemina Torozi, e cila mbulon edhe Budacin dhe Gropat e Selcës.
“Qendra shëndetësore funksionon, por pa kushte: mungojnë dritat dhe uji. Kam pajisje shumë të kufizuara. Në raste emergjente, i marr në makinën time pacientët dhe i çoj në Tamarë sepse nuk kemi ambulancë,” rrëfen ajo.
Infermierja shton se i mungojnë edhe barnat bazë për situata urgjente: antibiotikë, shurupe, gjilpëra kundër helmimit. Shpesh i ble vetë ose i sjellin turistët.
“Shumica e banorëve janë mbi 60 vjeç dhe kanë probleme me zemrën dhe tensionin. Kjo e bën punën time edhe më të vështirë,” thotë ajo.
Paketa e maleve dhe realiteti në terren
Ndryshe nga raportimet dhe dëshmitë e banorëve, Bashkia e Malësisë së Madhe pretendon se situata është ndryshe. Sipas saj, falë “paketës së maleve”, banorët po rikthehen.
“Kjo lëvizje është frymëzuar kryesisht nga ‘paketa e maleve’, iniciativë zhvillimore që stimulon banorët të rikthehen në zonë përmes përfitimeve ekonomike,” thuhet në një deklaratë të bashkisë.
Kjo paketë synon të nxisë investime nga banorët e larguar në tokat e trashëguara, edhe pa dokumentacion të rregullt pronësie. Por në terren, situata mbetet e pandryshuar.
“Ne paguajmë taksa, por nuk na japin mundësinë të zhvillohemi. Ose të na lejojnë të ndërtojmë siç duhet, ose të vijnë e të na mbyllin gjithçka. Sepse na mbytin në gjoba. Mos të na mbajnë në këtë mes, as andej, as këtej,” thotë Tonin Shkoza.
Turizmi në duart e të huajve
Sot në Lëpushë ka rreth nëntë bujtina që funksionojnë dhe mbajnë gjallë një pjesë të ekonomisë vendase, por gjetja e punonjësve vendas është kthyer në sfidë. Emigrimi ka përfshirë shumicën e familjeve.
“Në 12-13 vitet e fundit fshati është zbrazur, sepse nuk ka perspektivë, nuk ka mbështetje,” thotë Leonard Çekaj, 28 vjeç, një nga të paktët të rinj që vijon të jetojë aty dhe të merret me agroturizëm.
Prindërit dhe vëllezërit e tij janë larguar për në SHBA. Për të mbajtur biznesin në funksion këtë sezon, ai ka punësuar një çift nga Argjentina, që punojnë disa orë në ditë në këmbim të akomodimit dhe ushqimit.
“Punojmë 3 deri në 5 orë në ditë. Pastrojmë dhomat, ndihmojmë në kuzhinë. Por kënaqemi, sepse pjesën tjetër të ditës e kalojmë duke eksploruar këtë vend të bukur,” thotë Aylen Zamora, që qëndron përkohësisht në fshat me bashkëshortin.
Por banorët lokalë kanë më pak mundësi dhe më shumë pengesa. Çekaj tregon se, edhe pse toka është ndarë dhe përdoret pa konflikt mes banorëve, pronësia zyrtare mungon.
“Unë jam interesuar shumë, por përgjigjja që kam marrë është që nuk kam pronësi toke. Kjo na penalizon shumë. Ne duam që të na njihet toka si pronë që të mund të zhvillojmë zonën,” thotë ai.
Megjithë vështirësitë, ai nuk ka ndërmend të largohet.
“Nuk dua të iki. Kam punuar që ta mbaj këtë vend në lëvizje, me njerëz,” përfundon Çekaj.